Një padi e fundit pretendon se Bob Dylan, kantautori fitues i çmimit Nobel, i dha një vajze 12-vjeçare drogë dhe alkool para se të abuzonte seksualisht me të në vitin 1965. Padia pretendon se këngëtari u miqësua dhe krijoi një lidhje emocionale me paditësen, e identifikuar në dokumentet e gjykatës supreme në Manhattan dhe se Dylan përfitoi prej saj për rreth gjashtë javë. Sipas “The Guardian” vajza në fjalë ka inicialet J.C.
Padia e ngritur këtë javë në emër të J.C, tani një grua 68-vjeçare që jeton në Greenwich, Connecticut, pretendon se Dylan, atëherë 24 vjeç, shfrytëzoi statusin e tij si muzikant duke e joshur J.C për të fituar besimin e saj dhe për të marrë kontrollin mbi të, si pjesë të planit të tij për ta ngacmuar dhe abuzuar seksualisht me të.
Sipas dokumenteve të dorëzuara në gjykatë, Dylan, i quajtur Robert Allen Zimmerman, abuzoi me paditësen disa herë, me disa incidente që ndodhën në hotelin e famshëm Chelsea në Manhattan. Sipas ankesës, efektet emocionale të abuzimit me J.C përfshinin depresionin, poshtërimin dhe ankthin që janë të një natyre të përhershme dhe të qëndrueshme dhe e kanë bërë paditësen edhe të paaftë për të ndjekur disa aktivitete normale të jetës.
Tashmë J.C po kërkon dëmshpërblim të papërcaktuar dhe një gjykim jurie për akuzat, pasojat e të cilave e kanë shtyrë atë të kërkojë trajtim mjekësor në raste të shumta. Një zëdhënës i Dylan, tani 80 vjeç, tha për “The Guardian” së fundmi se pretendimi 56-vjeçar është i pavërtetë dhe do të mbrohet me forcë.
Rikujtojmë se, në fund të vitit 2020, Bob Dylan ka shitur të gjithë katalogun e këngëve të tij, i cili përfshin më shumë se 600 këngë për 60 vjet. Shitja është kryer në një “marrëveshje historike” me Universal Music Publishing Group. Edhe pse kushtet financiare nuk janë bërë të ditura, sipas burimeve nga “New York Times” shkruhet se ky katalog vlerësohet në më shumë se 300 milionë dollarë.