Kompania gjermane e prodhimit të automjeteve BMW testoi me sukses robotin humanoid “Figure 02″, robotë të ngjashëm me njeriun i cili vendos pjesët metalike në karroceri në kushte reale prodhimi, prej disa javësh në fabrikën e saj në SHBA në Spartanburg, Karolina e Jugut. “Zhvillimet në fushën e robotikës janë shumë premtuese”-tha drejtori i prodhimit, Milan Nedeljkovic.
“Me një operacion të hershëm testues, ne tani po përcaktojmë aplikimet e mundshme për robotët humanoidë në prodhim”-shtoi ai. Roboti me dy këmbë “Figura 02”, i pajisur me duar në përmasat e njeriut, mund të ecë dhe të vendosë pjesë të ndryshme komplekse me saktësi. Ai është i përshtatshëm në mënyrë ideale për detyra të vështira fizike, të lodhshme ose të pasigurta. BMW dhe prodhuesi i robotëve me qendër në Kaliforni, tani planifikojnë ta përgatisin atë për aplikimet e ardhshme dhe ta zhvillojnë më tej.
Ndërkaq në Britani, një ekip kirurgësh ka operuar për herë të parë një fëmijë me ndihmën e robotëve, me shpresën se kjo praktikë e re mund të bëhet më e zakonshme. Me një saktësi të pakrahasueshme, robotët mjekësorë të përparuar tani po i hapin udhë mundësisë për të kryer operacione tek fëmijët dhe të rriturit. Kirurgu që drejton ndërhyrjen nuk është as pranë pacientit, as pran tavolinës me pajisjet kirurgjikale.
Por, krahë robotikë kryejnë një operacion delikat në rrugët urinare të pacientit. Krahët robotikë bëjnë pjesën më të madhe të punës, ndërsa kirurgu kryesor përdor leva për t’i kontrolluar dhe drejtuar ato. Kirurgjia me ndihmën e robotëve po bëhet përherë e më e zakonshme në praktikat e kujdesit shëndetësor në Britani.