Tech

Bluesky mund të sjellë fundin e rrjetit social X të Elon Musk?!

Aktorja Jamie Lee Curtis dhe gazeta The Guardian i janë bashkuar grupeve të njerëzve që braktisin rrjetin social X të Elon Musk. Miliona në vend të kësaj i janë bashkuar aplikacionit Bluesky, i krijuar nga ish-themeluesi i Twitter, Jack Dorsey. Sipas llogarisë zyrtare të Bluesky, një milion njerëz iu bashkuan platformës në vetëm një ditë këtë javë, pasi Musk iu dha një pozicion në qeverinë e Donald Trump. “Përafrimi i Musk me presidentin e zgjedhur Trump dhe përdorimi i tij i platformës për të promovuar interesat e presidentit të zgjedhur padyshim që po dëbon shumë njerëz”-tha Adam Tinworth, ekspert i rrjeteve sociale.

“Por ky është vetëm eksodi i fundit nga platforma dhe njerëzit nuk po largohen vetëm për arsye politike”-shton ai. Kur Musk bleu Twitter në tetor 2022, ai shkurtoi afërsisht 80% të fuqisë punëtore të kompanisë. Siç raportohet, kjo ka rezultuar në një përvojë më të keqe në platformë. Dhe ndërsa më shumë njerëz po përdorin platformën Bluesky, motorët e mëdhenj të kërkimit si Google dhe modelet e AI si ChatGPT do të fillojnë t’i besojnë edhe më shumë.

Megjithatë, njerëzit nuk po kalojnë vetëm në Bluesky. Pasi Musk filloi të ndryshonte X, shumë në komunitetin e teknologjisë u zhdukën në një faqe sociale të quajtur Mastodon. Ndërkaq, rrjeti social X deri më tani ka kufizuar chatbotin e tij të AI Grok duke e ofruar vetëm me pagesë. Megjithatë, platforma me sa duket po përgatitet të ofrojë chatbotin edhe falas. Gjatë fundjavës, disa studiues dhe përdorues të aplikacioneve shkruan rreth një versioni falas të Grok që u vihej në dispozicion njerëzve në rajone të caktuara. TechCrunch ishte në gjendje të konfirmonte që X të paktën po teston qasjen falas në Grok për përdoruesit në Zelandën e Re.

Bëhet e ditur se për të përdorur Grok falas, llogaria juaj duhet të jetë së paku shtatë ditë e vjetër dhe të ketë një numër telefoni të lidhur me të. xAI prezantoi Grok-2 në gusht me kapacitetet e gjenerimit të imazhit, të mbështetur nga modeli FLUX.1 i Black Forest Labs. Në fund të muajit të kaluar, kompania i dha modelit gjithashtu aftësinë për të kuptuar imazhet. Të gjitha këto veçori ishin të disponueshme vetëm për përdoruesit Premium dhe Premium+ deri më tani.