Bota Tech

“Blue Origin” e Jeff Bezos nis 6 turistë në skajet e hapësirës!

Raketa turistike “Blue Origin” e miliarderit Jeff Bezos ka dërguar një grup pasagjerësh në skajet e hapësirës për herë të parë në gati dy vite, duke i dhënë kështu fund një ndërprerjeje të shkaktuar nga një fluturim provë i dështuar, pa ekuipazh. Raketa dhe kapsula “New Shepard” u ngritën në orën 09:36 të mëngjesit me orën lokale, nga objektet e “Blue Origin”, në një fermë private në Teksasin Perëndimor.

NS-25, fluturimi i shtatë me ekuipazh i “Blue Origin” deri më sot, mbante gjashtë pasagjerë në kapsulë; sipërmarrësin Mason Angel; Sylvain Chiron, themeluesi i fabrikës franceze të birrës artizanale Brasserie Mont-Blanc; inxhinieri i softuerave dhe sipërmarrësi Kenneth L. Hess; kontabilistja në pension Carol Schaller; aviatori Gopi Thotakura; dhe Ed Dwight, kapiten në pension i Forcave Ajrore të SHBA-së, i zgjedhur nga Presidenti John F. Kennedy në 1961 si kandidati i parë i astronautit me ngjyrë të vendit.

Gjatë misionit, anija kozmike depërtoi qiellin me një shpejtësi mbi tri herë më të madhe se ajo e zërit, ose mbi 2000 milje në orë.  Raketa kaloi kapsulën përtej vijës Kármán, 100 kilometra mbi sipërfaqen e Tokës. Në kulmin e fluturimit, pasagjerët përjetuan disa minuta pa peshë dhe pamje mahnitëse të Tokës përmes dritareve të kabinës. Ky mision, pasoi një tjetër mision të kryer me sukses pa ekuipazh në dhjetor, fluturimi i parë i programit New Shepard, që nga incidenti që ndodhi më shumë se një vit më parë.

Multimiliarderi Bezos rikujtojmë se ka shitur së fundmi disa nga aksionet e tij në Amazon, duke e çuar vlerën totale të shitjeve në ditët e fundit në më shumë se 4 miliardë dollarë. Gjiganti i teknologjisë, të cilin Bezos e themeloi në vitin 1994, tha se ka shitur 24 milionë aksione të Amazon këtë muaj. Bezos shiti për herë të fundit aksionet e Amazon në vitin 2021.

Kompania tha se ai po planifikonte të shiste 50 milionë aksione gjatë vitit të ardhshëm, të cilat kanë vlerë rreth 8.4 miliardë dollarë. Bezos ka dhuruar gjithashtu aksione në Amazon si pjesë e filantropisë së tij, së fundmi në vitin 2022. Fitimet mbi 250,000 dollarë nga shitja e aksioneve ose investimeve të tjera afatgjata, tatohen me 7% në shtetin Uashington.