Aktualitet

Bllokohet sërish aksi Thumanë-Kashar! Protestuesit përplasen me policinë, paralajmërojnë tubim në Tiranë

Për herë të nëntë, banorët e Krujës dhe Fushë Krujës kanë mbajtur një protestë në aksin Thumanë-Kashar.

Banorët protestojnë ndaj mënyrës si është ndërtuar autostrada, pasi sipas tyre, ky aks nuk parashikon asnjë hyrje dhe dalje për zonat e tyre. Edhe sot pati përplasje me policinë, teksa banorët bllokuan autostradën në disa pika.

Banorët shprehin shqetësimin pasi ndjehen të izoluar prej kësaj rruge dhe bizneset e tyre po falimentojnë. Protestuesit firmosën një peticion me të cilin do i drejtohen SPAK për vënien para përgjegjësisë të zëvendëskryeministres dhe të gjithë personave, përfshirë Autoritetin Rrugor Shqiptar, që sipas tyre kanë abuzuar me këtë rrugë.

Ndërkohë që protestuesit bënë thirrje që të hënën të mblidhen për protestë në Tiranë, në orën 16:30 para parlamentit kur do të mbahet seanca e parë plenare në sesionin e ri.