Protesta e opozitës për të bllokuar punën e Kuvendit, grupi parlamentar i Partisë Socialiste po përgatit propozimin për të ndëshkuar deputetët e Partisë Demokratike lidhur me zhvillimet e një dite më parë që kulmuan me një përplasje fizike të fortë mes ligjvënësve e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë.
Burime nga Partia Socialiste konfirmuan për Top Channel se propozimi për ndëshkim do të përfshijë deputetët Elda Hoti, Petrit Doda dhe Albana Vokshi. Dje në seancë plenare, Hoti u akuzua nga socialistët se derdhi benzinë në sallën e Kuvendit duke çuar në ndërprerje të punimeve derisa të bëhej verifikimi. Kryeparlamentarja Elisa Spiropali:
Po marr ankesa për një erë të rëndë që dyshohet si era benzinë. Punonjësit ekspertë ta verifikojnë. Kthehemi në seancë për 10 minuta.
Vetë Hoti tha se në sallën e Kuvendit hodhi aromatizues.
Nuk ishte asgjë që mund t’ju rrezikojë jetën, ishte aromatizues. Le ta vlerësojë Prokuroria, SPAK-u. Kemi një mision, misionin tonë për të mbrojtur qytetarët.
Po në sallën e parlamentit, një tjetër incident lidhet me momentin kur Albana Vokshi, Elda Hoti e Petrit Doda bllokuan foltoren dhe nuk lejuan kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, KLSH, Arben Shehu të lexonte raportin vjetor mbi punën e institucionit që drejton dhe më pas ai u largua nga salla.
Në një letër dërguar dje pasdite kryeparlamentares Spiropali, Gazment Bardhi kërkonte ta informonte menjëherë se kush ishte autoriteti që dha urdhrin për futjen e Forcave Speciale të Policisë së Shtetit në mjediset e brendshme të Kuvendit të Shqipërisë. Po ashtu, kryetari i grupit demokrat, kërkoi të viheshin në dispozicion kamerat e sigurisë të të gjitha ambienteve të brendshme dhe të jashtme të parlamentit.
Aksioni opozitar i një dite më parë nisi rreth orës 10:00. Të përjashtuarit e Partisë Demokratike për aktet e dhunës në parlament, më 30 shtator, tentuan të hynin forcërisht por u penguan nga garda që vendosi një gardh metalik poshtë shkallëve të pjesës ballore të selisë së Kuvendit. Mbi atë gardh, opozita shpalosi një banderolë me mbishkrimin: Edi Rama mafia dhe Flamur Noka tentoi t’i vinte zjarrin pasi e spërkati me benzinë ndërsa deputeti Dashnor Sula dogji xhaketën e tij në shenjë proteste.