Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, paralajmëroi se dislokimi i trupave të Koresë së Veriut përkrah forcave ruse, që luftojnë në kufirin ukrainas, kërkon “përgjigje të vendosur”. Blinken vuri në dukje se me shefin e NATO-s, Mark Rutte, diskutoi lidhur me faktin që forcat koreano-veriore janë “përfshirë në betejë e tani, në luftime dhe kjo kërkon e do të ketë një përgjigje të vendosur”.
Blinken u takua me Rutte-n në Bruksel, në kohën kur administrata në largim e presidentit amerikan, Joe Biden, po tenton të çimentojë mbështetjen për Ukrainën, para se republikani Donald Trump të mund që të marrë detyrën e presidentit. Pas fitores në zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit, Trump u zotua se do të ndalë luftërat në Ukrainë e në Lindjen e Mesme.
Gjatë një fjalimi për mediat, Rutte tha se presidenti rus, “Vladimir Putin, nuk duhet të lejohet që të jetë i suksesshëm në Ukrainë”. Rusia e ka nisur pushtimin e Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Së fundi, inteligjenca e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ajo e Koresë së Jugut, e NATO-s, si dhe Ukrainës kanë konfirmuar se vendi komunist i drejtua nga Kim Jong Un ka dislokuar në Kursk të Rusisë trupa për ta ndihmuar Moskën në luftën kundër shtetit fqinj.
Amerika ka vënë në dukje se në Kursk, rajon rus që ndodhet në kufi me Ukrainën, gjenden afro 10 mijë trupa të Koresë së Veriut por Ukraina e korrigjoi shifrën duke deklaruar se numri ka shkuar deri në 12 mijë. Po ashtu, Rusia ka zhvendosur disa burime në rajonin kufitar të Kurskut për t’iu përgjigjur ofensivës që Ukraina nisi në muajin gusht e kjo pasi forcat ruse kanë hasur në vështirësi që të zmbrapsin trupat ukrainase.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin bisedoi me homologun ukrainas, Rustem Umerov “për të diskutuar dinamikën e fushëbetejës e ofruar një përditësim mbi ndihmën amerikane të sigurisë sipas sekretarit të shtypit të Pentagonit, gjeneralmajor Pat Ryder.
Sekretari rikonfirmoi angazhimin e presidentit Biden për të rritur ndihmën e sigurisë për Ukrainën.
Pentagoni informoi edhe për sasinë e fondeve që mbeten në dispozicion për ndihmën ushtarake për Ukrainën.
Kanë mbetur rreth 7.1 miliardë dollarë nën fondin që autorizohet nga presidenti e ku përfshihen 4.3 miliardë dollarë të miratuara nga Kongresi në prill, plus 2.8 miliardë dollarë që u bënë të disponueshme pas përllogaritjeve të reja.