Bota

Blinken: Indikacionet tregojnë se raketa që goditi Izraelin është lëshuar nga Hezbollahu!

Të gjitha indikacionet tregojnë se raketa që goditi në lartësitë e Golanit është lëshuar nga Hezbollahu, tha sot sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken.

Deklarata e Blinken erdhi gjatë një vizite në kryeqytetin e Japonisë, Tokio.

Të paktën 12 fëmijë dhe të rinj u vranë dje gjatë një sulmi me raketa – që goditi një fushë futbolli në qytetin Druze të Majdal Shams në lartësitë e Golanit.

Izraeli fajëson Hezbollahun për sulmin dhe u zotua të hakmerret, ndërsa milicia shiite ka mohuar të ketë pasur ndonjë lidhje me sulmin.

Përfaqësuesit e OKB-së u kanë bërë thirrje të dyja palëve të ushtrojnë vetëpërmbajtje maksimale – pasi sulmi mund të nxisë një luftë të plotë në rajon.

Izraeli dhe Hezbollahu – aleat i Hamasit – kanë shkëmbyer zjarr pothuajse çdo ditë që nga fillimi i luftës në Gazë, më 7 tetor të vitit të kaluar.

Intensiteti i këtyre përplasjeve kohët e fundit është rritur ndjeshëm. Ka pasur viktima nga të dyja palët, duke rritur shqetësimet se konflikti mund të përhapet më gjerë në rajon.

Izraeli pushtoi Lartësitë e Golanit, një pllajë shkëmbore me rëndësi strategjike, në vitin 1967 dhe aneksoi zonën në vitin 1981, megjithëse konsiderohet si territor sirian i pushtuar nga Izraeli sipas ligjit ndërkombëtar.

Më shumë se 50 000 njerëz jetojnë në zonë, me pak më shumë se gjysma e tyre izraelitë hebrenj, së bashku me druzët dhe një pakicë të vogël alavite.

Majdal Shams, qyteti që u sulmua është i banuar kryesisht nga druzët, një komunitet fetar arabishtfolës.