Bota

Blinken: Amerika mbështet plotësisht “Paktin për të Ardhmen”!

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi “Paktin për të Ardhmen” për të përballuar sfidat e shekullit të 21-të. Tani është detyra e vështirë e bashkimit të vendeve të përçara të botës për të ecur shpejt në zbatimin e 56 veprimeve të marrëveshjes. Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken u shpreh se “thjesht ruajtja e status kuosë nuk është një alternativë”, pasi ai sinjalizoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për paktin.

Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara në përpjekjet për miratimin e një sistemi të OKB-së, i cili pasqyron këtë botë të sotme dhe të nesërme, jo atë që ekzistonte në vitin 1945. Ne nuk do të pranojmë përpjekjet për të rrëzuar, zbehur ose ndryshuar rrënjësisht parimet thelbësore të Kartës së OKB-së.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres falënderoi organin botëror prej 193 anëtarësh për miratimin e paktit. Ai tha se dokumenti krijon mundësitë për vendet që të bashkojnë forcat për të trajtuar sfidat e mëdha si ndryshimet klimatike, Inteligjenca Artificiale, përshkallëzimi i konflikteve dhe rritja e pabarazisë e varfërisë.

Pakti u miratua para dy ditëve në “Samitin e së Ardhmes”. Zv.ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergey Vershinin propozoi një amendament që do ta kishte zbutur ndjeshëm marrëveshjen, për të cilën u shpreh:

Askush nuk është i kënaqur me këtë marrëveshje.

Por, rreth 143 vende, duke përfshirë 54 të Afrikës votuan për të mos ndërmarrë veprime për amendamentin e Rusisë. Vetëm gjashtë shtete mbështetën Rusinë: Irani, Bjellorusia, Koreja e Veriut, Nikaragua, Sudani dhe Siria. Pesëmbëdhjetë vende abstenuan.

Ndërkaq, sot në Asamblenë e OKB-së në Nju Jork pritet me interes fjalimi i Joe Biden-it, i fundit i tij si president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Fjalimi i Biden-it vjen në një moment kyç, siç tha përfaqësuesja amerikane në OKB, Linda Thomas Greenfield:

E themi çdo vit, por kjo asamble nuk mund të përkonte në një moment më kritik dhe sfidues. Lista e krizave dhe konflikteve që kërkojnë vëmendje dhe veprim duket se po rritet vazhdimisht.

Në krye të kësaj liste është situata në Gaza. Në këtë çështje, qëndrimi amerikan nuk është në të njëjtën linjë me pjesën tjetër të vendeve të asamblesë e që javën e kaluar, miratoi me shumicë dërrmuese një rezolutë që i kërkonte Izraelit t’i japë fund pushtimit të territoreve palestineze brenda 12 muajve të ardhshëm.

Shtetet e Bashkuara ishin në mesin e 14 votave “kundër”. Thomas-Greenfield deklaroi se ishin në përputhje me qëndrimin e Uashingtonit kundër “masave të njëanshme që pengojnë perspektivën e një zgjidhjeje me dy shtete”.

Nga Biden, analistët pritet të flasë për mbështetjen e tij për Izraelin dhe Ukrainën. Sipas njohësve, këto dy konflikte janë dy sfidat më të mëdha të presidentit, ndërsa ai përfundon mandatin.