Zëvendësndihmës sekretarja e Shtetit për Çështjet e Evropës dhe Euroazisë, Yuri Kim tha se vizita e sekretarit të Shtetit, Antony Blinken në Shqipëri, më 15 shkurt do të përqendrohet te “ e ardhmja e Shqipërisë, e ardhmja e Ballkanit Perëndimor dhe ajo e Evropës”.
Kim foli në një konferencë telefonike për shtypin së bashku me Ndihmës Sekretarin e Shtetit, James O’Brien lidhur me vizitën e Blinken-it në Shqipëri dhe atë në Mynih për Konferencën e Sigurisë.
Vizita vjen pasi ne kemi hyrë në 100 vjetorin e dytë të marrëdhënieve SHBA-Shqipëri dhe në një kohë kur duam të falenderojmë kryeministrin Rama dhe shqiptarët për rolin e tyre si bashkëpenëmbajtës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së nga viti 2022 deri në 2023. Shqipëria është tani në Këshillin e të Drejtave të Njeriut.
Në një njoftim të zëdhënësit të Departamentit të Shtetit, Matthew Miller para disa ditësh për vizitën e Blinken-it, thuhej se Shqipëria është “një partnere kyçe për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe një aleate e qëndrueshme në përkrahje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës”.
Ish-ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim tha se “Blinken do të veçojë bashkëpunimin e Shteteve të Bashkuara me Shqipërinë”.
Duam t’i falënderojmë që ishin mikpritës kryesorë për afganët në nevojë dhe shqiptarët vazhduan kështu traditën e tyre historike për t’i strehuar ata që janë në rrezik.
Ajo tha se Sekretari Blinken do të qendrojë në Shqipëri që nga ora 11:00 paradite deri në 7-8 në mbrëmje dhe gjatë vizitës do të ketë takime me Presidentin Bajram Begaj dhe me Kryeministrin Edi Rama, si edhe do të dalë para medias me Ramën.
Ish-ambasadorja Kim tha gjithashtu se Blinken do të takohet edhe me një grup prej rreth 100 të rinjsh, që kanë studiuar në programe të ofruara nga Shtetet e Bashkuara si Fulbright dhe Programi i Vizitorit Drejtues Ndërkombëtar, IVLP.
Takimin e quajti “të rëndësishëm” jo vetëm për shkak se do të jetë një bashkëbisedim me të rinj që kanë studiuar në SHBA, por edhe pse mbahet tek Piramida që dikur ka qenë simbol i komunizmit dhe regjimit shtypës dhe izolues.
Por, rreth dy vjet më parë, Bashkia e Tiranës dhe Fondacioni Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit, bashkëpunuan për ta shndërruar piramidën në thelb një inkubator për inovacionin në teknologji, kështu që mendoj se është një ide e bukur.
O’Brien tha se në Konferencën e Mynihut, ku do të mbajë një fjalim kryesor Nënpresidentja Kamala Harris, Sekretari i Shtetit, Blinken do ta vënë theksin tek mbështetja për Ukrainën tek konflikti në Lindjen e Mesme dhe tensionet në Ngushticën e Tajvanit.
Ndihmës sekretari i Shtetit shtoi se SHBA-të do të sigurojnë gjithashtu aleatët për mbështetjen e palëkundur të Uashingtonit, duke iu përgjigjur shqetësimeve pas komenteve të ish-presidentit Donald Trump për NATO-n.