Shumë pak persona mund të kenë fatin të blejnë një Ferrari. Por, midis atyre fatlumëve që mund të përballojnë çmimet stratosferike të markës italiane, ka edhe shumë të pakujdesshëm. Këtë e vërteton një ngjarje që ka ndodhur në Britaninë e Madhe. Një anglez, i cili sapo kishte blerë një Ferrari 488 GTB, me vlerë 300 000 euro, e përplasi makinën sapo doli nga koncesionari në Derby.
Vetëm 3 kilometra udhëtoi klienti me Ferrarin e tij të ri, duke i shkaktuar dëme të mëdha në pjesën e përparme. Policia e Derbyshire Roads postoi fotot e aksidentit në rrjetet sociale, por duke qenë se ishte data 1 prill, shumë menduan se bëhej fjalë për një gënjeshtër. Duke marrë shkas nga komentet, policia u detyrua të saktësonte se aksidenti kishte ndodhur me të vërtetë.
Sjellim në vëmendje se një makinë Ferrari është përzgjedhur si supermakina më e bukur e vitit 2022. Një juri ekspertësh në Paris i ka dorëzuar markës italiane çmimin “Grand Prize of Design”, për modelin Daytona SP3. Ferrari Daytona SP3 u prezantua në fund të nëntorit të vitit të kaluar. Nga kjo supermakinë do të prodhohen vetëm 599 njësi, që do të kushtojnë rreth 2 milionë euro secili.
Me Daytona SP3, Ferrari ka dashur të risjellë në jetë makinën ikonë të viteve 1960, me të cilën dominonte garën e qëndrueshmërisë, kundër Ford GT40, në pistën e Daytona. Makina ka një motor 6,5 litra me 12 pistona, motori më i fuqishëm i ndërtuar ndonjëherë nga Ferrari, i cili e bën makinën të arrijë një shpejtësi maksimale prej mbi 339 km/h.