Bota Tech

“Blackout”-i i internetit, “Microsoft”: “Crowdstrike” duhet të kontrollojë përditësimet!

Gjiganti i teknologjisë “Microsoft” vlerëson se 8.5 milion kompjutera në gjithë botën u përballën me problemet kibernetike të ditëve të fundit. Kjo është shifra e parë që tregon në lidhje me seriozitetin e avarisë e ka sugjerime se mund të ketë qenë më e keqja e llojit kibernetik që ka ndodhur në histori, deri tani. Kaosi erdhi për shkak se kompania për sigurinë kibernetike “Crowdstrike” bëri një gabim në përditësimin e sistemit dhe për pasojë u pezulluan shumë veprime. Që në fillim u rrëzua varianti i një sulmi kibernetik nga hakera.

Në mesin e bizneseve të prekura u vunë aeroporte, banka, tregjet e bursave e madje nuk u kursyen as spitalet, si në rastin e Gjermanisë ku të premten e 19 korrikut u ndërprenë ndërhyrjet kirurgjikale. Por, zv.presidenti i Microsoftit, David Weston u shpreh edhe se shifra prej 8.5 milion pajisjesh është më pak se 1% e të gjitha pajisjeve Windows në nivel global.

Ky gjigant teknologjik shtoi po ashtu se incidenti ka vënë në pah rëndësinë që kompanitë si “Crowdstrike” të bëjnë kontrolle të vazhdueshme në proceset e përditësimit, para se t’i bëjnë publike. Kaosi i madh që u krijua, ka rritur dhe paralajmërimet nga ekspertët se hakerat mund të shfrytëzojnë këtë mundësi për të krijuar probleme edhe më të ndjeshme, gjithnjë duke përfituar nga situata.

Shefi i kompanisë “Crowdstrike”, George Kurtz i ka nxitur klientët që të sigurohen se po flasin me një përfaqësues të kësaj kompanie, para se të shkarkojnë diçka në pajisjet e tyre. “Crowdstrike”, kompani amerikane është në mesin e firmave më të njohura në botë, e cila ka më shumë se 20 mijë abonentë. Ajo krijon sisteme për t’i mbrojtur pajisjet e klientëve nga viruset kompjuterike.

Kompanitë e linjave ajrore kanë raportuar për mijëra fluturime të anuluara dhe operatorët u shprehën një ditë më parë se ato po presin që vonesat të vazhdojnë edhe përgjatë fundjavës. Disa shërbime shëndetësore në Britaninë e Madhe e në Izrael nuk mundën të ofroheshin, ashtu siç ndodhi në Gjermani.

Biznese dhe shërbime në gjithë botën gradualisht iu rikthyen normalitetit, pas problemit kibernetik që goditi sistemet kompjuterike për disa orë të enjten e të premten e javës që po lëmë pas.