Lifestyle

Biseda më e sikletshme/Si t’i flisni në mënyrën e duhur fëmijëve mbi seksin?!

Nëse jeni prindër dhe ende nuk keni folur me fëmijët tuaj rreth kësaj teme në dukje të sikletshme, një sërë pyetjesh mund t’ju vijnë në kokë… Kur është koha që me fëmijët të fillohet të bisedohet për seksin? Cilat fjalë dhe shprehje duhet t’i zgjedhim? A duhet pritur që fëmija vetë të pyesë i pari? Në cilën moshë duhet treguar që bebet nuk ‘i sjellin lejlekët’? Nëse fëmijëve u flasim hapur për seksin, a mundet ai që ta kuptojë këtë si nxitje që të fillojë të hyjë më herët në marrëdhënie seksuale?

Nuk është e domosdoshme të shpjegohet deri në detaje akti seksual. Sidoqoftë nuk duhet shmangur si temë. Nëse ndodh kjo, atëherë ai do të krijojë ide jo shumë të qarta, të bazuara në atë që mund të dëgjojë në shkollë mes shokësh.

Duke mësuar se nga vjen dhe si është krijuar, fëmija ndihmohet të rritet dhe të formohet. Përpiqu t’u përgjigjesh edhe pyetjeve “të vështira”. Nëse të pyet në ambiente jo të përshtatshme, thuaji se kjo është një temë e rëndësishme, për të cilën do të flisni sapo të mbërrini në shtëpi.

Në moshën 5-6 vjeçare një fëmije i duhet përgjigjur mbi këtë temë duke u konsultuar edhe me libra që e trajtojnë këtë argument. Zgjidhni me kujdes fjalët kur komunikoni, sepse ata do ta thithin çdo gjë që do u thoni. Afrojuni disi mënyrës së tyre të të folurit dhe e gjithë kjo mund të paraqitet në mënyrë argëtuese, e jo që fëmijët t’i vendosni para jush dhe të bisedoni nga tavolina mbi këtë temë gjithmonë të ndërlikuar.