Aktualitet Travel

“Birmingham Live”: Turistët britanikë zgjedhin Shqipërinë/Mund të braktisin Spanjën e Greqinë!

“Turistët britanikë mund të braktisin Spanjën dhe Greqinë mes tensioneve në rritje  e të shkojnë në Shqipëri”. Kështu u shpreh një prej drejtuesve të TUI-it referuar një artikulli të botuar në “Birmingham Live”. Kompania TUI, e cila rivalizohet nga “Jet2”, “Ryanair”, “Easyjet” e të tjerë, është e mendimit se Shqipëria mund të jetë destinacioni i radhës për britanikët.

Shefi ekzekutiv i TUI-t, Sebastian Ebel foli për “The Independent” e vuri në dukje se pas protestave kundër turizmit në Spanjë e në Greqi, me të dy vendet ku shihen grafite anti-turistike të skalitura javët e fundit, Shqipëria pritet që të jetë destinacioni i pushimeve verore për turistët britanikë dhe jo vetëm.

Unë mendoj se perspektiva është e madhe dhe nuk do të habitesha nëse fillojmë një program të rëndësishëm atje. Aktualisht, mënyra më e mirë për të vizituar Shqipërinë është që të rezervoni fluturimet dhe hotelet.

Shqipëria ka regjistruar një rritje të popullaritetit gjatë muajve të fundit, veçanërisht bregdeti shqiptar, shtoi Ebel.

Shqipëria është një vend i mrekullueshëm. Unë jam një adhurues i madh i Shqipërisë dhe mendoj se duhet dhe mund të bëjmë më shumë.

Po ashtu, Ebel zbuloi se 10 vjet më parë, kohë kur ai i ishte bashkuar bordit ekzekutiv të TUI-t, pati sugjeruar mundësinë për ta përfshirë Shqipërinë në listën e destinacioneve për pushime edhe pse pranon se fillimisht, nuk mund t’i bindte njerëzit të investonin atje. Por, me vlerësimet e rekomandimet gjithnjë e më të mira për Shqipërinë, gjërat ndryshuan. Turistët zotoheshin të ktheheshin sërish në Shqipëri. Ebel shtoi:

Ne synojmë një turizëm të nivelit të lartë në Shqipëri. Gjithashtu, në vend po nxiten investime për hotele me katër dhe pesë yje me emra ndërkombëtarë, siç bëri të ditur Bordi Turistik i Shqipërisë, vitin e kaluar.

Më mediat botërore sa vijnë e shtohen rekomandimet për vendin tonë, si një destinacion ideal pushimesh verore e jo vetëm. Shqipërinë e sugjerojnë për detin, malin, çmimet, historinë… me pak fjalë, për të mos u humbur.