Health & Beauty Lifestyle Live From Tirana

“Bimësia luan një rol kyç…”/Arkitektja Kilda Markaj këshillon si të mbajmë shtëpinë të freskët gjatë verës!

E ftuar në “Live from Tirana” ishte arkitektja Kilda Markaj për të folur rreth disa metodave natyrale për të mbajtur të freskët shtëpinë tonë në këto ditë të nxehta. Ajo po ashtu u ndal dhe tek përdorimi i kondicionerit dhe problemeve shëndetësore që ai sjell. E megjithëse e nevojshme për shumë, ekzistojnë mënyra natyrale ajrosjeje dhe freskimi që, të paktën, duhet të jeni të vetëdijshëm.

A ndikon kondicioneri në ngrohjen globale?

Kondicioneri është shumë i nevojshëm për ne, por është i dëmshëm. Ai luan rolin e një frigoriferi në anën e brendshme, por në anën e jashtme ai prodhon ngrohje. Është pikërisht kjo dinamikë që ndikon në ngrohjen globale. Perveç kësaj, kondicioneri është shumë i dëmshëm për shëndetin tonë.

Cilat janë disa metoda natyrale ajrosjeje?

Kryesorja është ventilimi natyral. Është shumë e rëndësishme që të keni dritare në jug ose veri dhe t’i lini hapur. Ju rekomandoj të përdorni dritare tripleks dhe të aplikoni dritare me 3 xhama, gjithashtu dhe përdorimin e perdeve për të ndihmuar ajrosjen dhe penguar diellin. Freskueset në tavan kanë qenë një zgjidhje dikur, por kanë dalë nga moda dhe nuk përdoren më. Megjithatë, ato janë të afta t’i japin një ventilim dhomës pa anët negative të kondicionerit. Lani ambientet shtëpiake shpesh, uji normalisht luan një rol freskues për ajrin. Një gjë interesante që duhet të përmendet është se apartamentet e vjetra tregojnë optimizim më të mirë të uljes së temperaturave nga ato të rejat, për shkak të materialeve që janë përdorur. Nuk kemi çfarë t’iu bëjmë atyre, por mund të aplikojmë një shtresë termoizoluese në faqet e ndërtesave për të mirëmbajtur temperaturat e brendshme. Ato janë shumë të përhapura dhe mund t’i gjeni kudo.

Bimët janë gjithashtu një zgjidhje për ajrosje natyrale:

Bimësia luan një rol kyç, njerëzit e preferojnë që të jenë afër natyrës dhe e sjellin atë në shtëpitë e tyre. Nga ana ambientale, mbani bimë gjetherënëse. Në verë, ato do të pengojnë vapën, kurse në dimër do të bien dhe do të lënë rrezet e diellit të depërtojnë. Për ambientet e brendshme kemi bimë si zamia, ato që rrinë gjithnjë të gjelbra. Kërkon pak ujë dhe në mënyrë periodike. Kaktuset janë gjithashtu një zgjidhje, veçanërisht për ata që punojnë në zyrë dhe ndodhen para kompjuterit për orë të zgjatura. Kaktusi ka aftësinë të thithë rrezatimin e pajisjeve si kompjuteri, që ju mbron sytë.