Celebrities Fashion

Billie Eilish nuk vesh fustane por kur e bën ka një qëllim shumë domethënës!

Këngëtarja e hitit “Happier Than Ever” është e njohur për stilin e saj unik të veshjes që nga fillimi i karrierës së saj dhe deri më tani. Ajo bëri bujë të madhe në të gjithë botën me pamjen dhe paraqitjen e saj spektakolare në eventin e ‘Met Gala 2021’ që u zhvillua në Nju Jork këtë vit. I gjithë look-u i saj ishte thjesht shumë tërheqës, sidomos fustani i saj madhështor në ngjyrë ‘nude’ arriti ta bënte Billie-n thjesht të magjishme.

Ajo kaloi në tapetin e kuq të Muzeut mbrëmjen e kaluar si bashkë-prezantuesja më e re ndonjëherë e “Met Gala”-s. Fustani që ajo kishte zgjedhur të vishte ishte nga marka prestigjoze e “Oscar de la Renta”. Busti i fustanit ishte me një dekolte mjaft tërheqëse dhe të hapur përpara tek pjesa e gjoksit dhe kjo e bënte Billie-n të dukej si një princeshë përrallash. Ndërsa pjesa tjetër e fustanit ishte afërsisht 15 metra e gjatë dhe shumë madhështore.

Por arsyeja se pse Billie Eilish kishte zgjedhur të vishte një fustan të tillë është shumë domethënëse. 19-vjeçarja pranoi të mbante veshur një fustan nga ‘Oscar de la Renta’ me kushtin e vetëm që ata të ndalonin shitjen e gëzofeve.

Kujtojmë që Billie Eilish është një aktiviste e njohur e të drejtave të kafshëve dhe vegane prej shumë vitesh. Ajo këmbënguli që shtëpia kryesore e modës ‘Oscar de la Renta’ të ndalonte shitjen e materialit të përbërë nga gëzofet e kafshëve, në mënyrë që të binte dakord dhe të bashkëpunonte me ta.

Dizajneri kishte filluar dalëngadalë procesin e heqjes materialeve të përbëra nga gëzofi i kafshëve, duke mos e përdorur atë në shfaqjet e pasarelave për disa vjet sepse ngjante si diçka e parëndësishme, por përsëri ata e shisnin materialin në dyqanet e tyre. Sidoqoftë, kërkesa e këngëtares nxiti vendimin e tyre për të ndaluar shitjen e pjesëve të tilla.

Nëpërmjet edhe një postimi në rrjetin e saj social Instagram, artistja e talentuar shkroi se:

Faleminderit @oscardelarenta për dizajnimin e këtij fustani të bukur dhe sjelljen në jetë të ideve dhe vizionit tim. Ishte nder të vishja këtë fustan duke e ditur që në vazhdim ‘oscar de la renta’ do të jetë plotësisht pa materialet e gëzofeve të kafshëve !!!! Unë jam shumë e emocionuar që @fernandogarciam1205 dhe @tokibunbun dhe i gjithë ekipi më dëgjuan për këtë çështje dhe tani kanë bërë një ndryshim që ka një ndikim për të mirën më të madhe, jo vetëm për kafshët, por edhe për planetin dhe mjedisin tonë gjithashtu. Jam e nderuar që kam qenë katalizatore dhe jam dëgjuar për këtë çështje. Unë i bëj thirrje të gjithë projektuesve të bëjnë të njëjtën gjë.