Tech

Bill Gates: Brenda 3 viteve mbledhjet e punës do të mbahen në “metaverse”!

Metaverse mund të jetë edhe “ambient” pune më shpejt nga sa shumë prej nesh mund të mendojnë. Bashkëthemeluesi i Microsoft, miliarderi Bill Gates parashikon se shumica e punonjësve do t’i realizojnë takimet virtuale në metaverses në dy ose tre vitet e ardhshme. Komentet Gates i bëri në një postim në mediat sociale ku bëri një përmbledhje të këtij viti që po lëmë pas.

Këto ndryshime do të intensifikohen vetëm në vitet në vijim. Brenda dy ose tre viteve të ardhshme, unë parashikoj se shumica e takimeve virtuale do të lëvizin nga rrjetet e imazhit të kamerës 2D…në metaverse, një hapësirë 3D me avatarë digjitalë. Ideja është që ju do të përdorni përfundimisht avatarin tuaj për t’u takuar me njerëz në një hapësirë virtuale që përsërit ndjenjën e të qenit në një dhomë aktuale me ta.

 

Sipas tij, kalimi i takimeve ne metaverse pritet të jetë i ngadaltë pasi shumë njerëzve u mungojnë mjetet për t’u zhytur plotësisht në këtë realitet si syzet e posaçme. Por megjithatë, Gates shprehu optimizëm për përparimet e bëra me avatarët tredimensionalë dhe audio hapësinorë për të ndihmuar përdoruesit që të ndjehen më të lidhur virtualisht.

Ka ende pak punë për t’u bërë, por ne po i afrohemi një pragu ku teknologjia fillon të përsërisë vërtet përvojën e të qenit së bashku në zyrë.

Metaverse është një fushë digjitale që kombinon teknologji të tilla si VR, realiteti i shtuar dhe video ku përdoruesit “jetojnë” në një univers virtual. Mbështetësit e metaverses duke përfshirë CEO-n e Meta-s, Mark Zuckerberg besojnë se metaverse mund të zëvendësojë në një të ardhme internetin modern.

Së fundmi miliarderi ka shkruar në blogun e tij, se 2021 ishte viti më i vështirë i jetës, si rezultat i divorcit me Melinda French Gates dhe pandemisë COVID-19. Bashkëthemeluesi i Microsoft foli në ‘GatesNotes’, për vështirësitë me të cilat u përball gjatë vitit të kaluar, duke përfshirë përfundimin e martesës së tij me Melindën pas 27 vjetësh.

E di që shumë njerëz janë kuriozë për një temë më afër shtëpisë: divorcin tim. Ka qenë një vit me trishtim të madh personal.