Grupi legjendar britanik Oasis, që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në muzikë me hite si “Wonderwall” dhe “Don’t Look Back in Anger,” ka njoftuar ribashkimin për një turne, duke i dhënë fund një periudhë të gjatë shkëputjeje. Turneu do të nisë më 4 korrik të vitit 2025 në Uells dhe do të përfundojë më 17 gusht në Dublin.
“Në fund, kjo është e vërteta. Po ndodh,”-njoftoi grupi në një postim në mediat sociale. Oasis u ndanë në vitin 2009 pas shumë vitesh grindjesh të brendshme mes dy vëllezërve Liam dhe Noel Gallagher, kur ky i fundit la grupin disa minuta përpara performancës në një festival afër Parisit.
Oasis flitet se do të shtojnë edhe më shumë koncerte në turneun e tyre 17-ditor të ribashkimit, në përpjekje për t’i bërë fansat e tyre të lumtur. Vëllezërit Gallagher po mendojnë të shtojnë më shumë koncerte në kuadër të turneut të verës së ardhshme, në mënyrë që fansat të mos zhgënjehen. Adhuruesit e muzikës mbetën të zemëruar me të kuptuar se biletat për 17 datat u shitën të gjitha brenda disa orësh, me një furi pritjeje në radhë për tetë orë, problemeve teknike dhe rritjeve tronditëse të çmimeve.
Tani thuhet se vëllezërit Noel dhe Liam Gallagher po mendojnë të shtojnë më shumë data në turne. Gjatë ditës së djeshme u lëshuan për shitje 1.2 milion bileta. “Miliona fansa të grupit Oasis do të ndihen të zhgënjyer”-tha një burim për The Sun, në pamundësi që një pjesë e madhe mund të mos sigurojnë një biletë. Edhe pse vëllezërit nuk kanë performuar së bashku që nga ndarja, ata kanë vazhduar të interpretojnë këngët e Oasis në koncertet e tyre solo.
Në vitin 2019, Liam kishte shprehur dëshirën për të ribashkuar grupin, duke theksuar se për të më e rëndësishme ishte marrëdhënia me vëllain e tij sesa fitimi i parave. Ky turne mund të jetë një mundësi për Oasis që të ribashkohet dhe të ringjallë shpirtin e muzikës së tyre, duke e lënë pas të kaluarën dhe duke ofruar një përvojë të paharrueshme për fansat e tyre.