Rrjeti social i ish-presidentit amerikan, Donald Trump, Truth, është në rënie të thellë që vazhdon të përkeqësohet dhe t’ia ulë vlerën neto kompanisë. Bëhet e ditur se aksionet e Trump&Media Technology Group (DJT) ranë në nivelin më të ulët të regjistruar ndonjëherë. Trump Media ka humbur rreth tre të katërtat (74%) të vlerës së saj që kur arriti kulmin në 66.22 dollarë më 27 mars. Siç raportohet, rënia ka larguar edhe një sasi të konsiderueshme të pasurisë së investitorëve përfshirë Trumpin i cili deri më tani ka humbur 4 miliardë dollarë.
Aksionet dominuese të Trumpit prej 114.75 milionë u vlerësuan në 6.2 miliardë dollarë më 9 maj. Tani vlera e tyre është ulur në rreth 2 miliardë dollarë, një rënie e mprehtë që e ka rrëzuar Trumpin nga Indeksi i Miliarderëve të Bloomberg të 500 njerëzve më të pasur në botë. Kompania po humbet para, duke gjeneruar shumë pak të ardhura dhe Truth Social mbetet një lojtar relativisht i vogël në rrjetet sociale. “Nëse ky nuk do të ishte Trump, kjo gjë do të tregtohej me 1 dollarë”-tha Matthew Tuttle, CEO i Tuttle Capital Management. Analistët kanë thënë se ka të ngjarë të ketë edhe faktorë të tjerë pas tkurrjes së çmimit të aksioneve të kompanisë.
Tuttle argumenton se fakti që zëvendëspresidentja Kamala Harris po garon kundër Trumpit, është një katalizator i madh. Në të vërtetë, Trump Media ka humbur rreth gjysmën e vlerës së tregut që kur presidenti Joe Biden u tërhoq nga gara dhe miratoi kandidaturën e Harrisit më 21 korrik. Trump Media ende ka më shumë se 300 milionë dollarë fuqi financiare që mund të përdoret për blerje dhe për të financuar operacionet e saj.
Dhe megjithëse Trump Media gjeneroi vetëm 837,000 dollarë të ardhura tremujorin e kaluar, ajo po ndërton një biznes transmetimi që kujdeset për konservatorët. Në gusht, Trump Media prezantoi Truth+, një platformë transmetimi televizive në iOS, Android dhe versionet në internet të Truth Social. Ndërkaq, pas debatit të fundit, sondazhi i realizuar nga New York Times dhe Universiteti Siena tregon një garë shumë të ngushtë në fushatën presidenciale, me Donald Trump dhe Kamala Harris duke qenë thuajse të barabartë. Sipas sondazhit, Trump ka mbështetje prej 48%, ndërsa Harris ka 47%. Diferenca prej vetëm 1% është brenda marzhit të gabimit të sondazhit, duke e bërë të pamundur të nxjerrësh një përfundim të qartë për fituesin në këtë fazë.
Një aspekt interesant i sondazhit është se amerikanët duket se janë ende në proces të njohjes së Kamala Harris, me 28% të të anketuarve që shprehen se kanë nevojë ta njihnin më mirë atë. Kështu, krahasuar me vetëm 9% të atyre që kërkojnë të mësojnë më shumë rreth Trump. Kjo sugjeron se Harris është ende në fazën e njohjes nga publiku, ndërsa për Trump mbështetësit kanë ide më të qarta për kandidaturën e tij. Këto informacione do të jenë të rëndësishme për të kuptuar dinamiken e fushatës dhe ndikimin e saj në zgjedhjet që po afrohen.