Madhësia mesatare e popullatave globale të kafshëve të egra është ulur me 73% në 50 vjet. Kjo zbulohet nga një studim i ri i Fondit Botëror të Kafshëve të Egra (WWF). “Raporti i Planetit të Gjallë 2024”, monitoroi popullatat e kafshëve të egra të rreth 5 mijë e 500 llojeve të amfibëve, shpendëve, peshqve, gjitarëve e zvarranikëve midis viteve 1970 dhe 2020. Gjetjet treguan rënie në çdo tregues që gjurmon gjendjen e natyrës në shkallë globale.
Përfundimet e këtij raporti janë alarmante, tha Anke Schulmeister-Oldenhove, zyrtarja e lartë e politikave pyjore në WWF. Konsumi vazhdon të jetë shtytës kryesor i humbjes së biodiversitetit global, veçanërisht në ekosistemet kritike si Amazona, që po i afrohet një pike kthese të pakthyeshme.
Studimi zbuloi se popullatat e ujërave të ëmbla pësuan rëniet më të rënda, duke u reduktuar me 85%. Kjo u pasua nga ato tokësore, të cilat ranë me 69%. Popullatat detare u reduktuan me 56%.
Natyra po lëshon një thirrje shqetësimi, tha Dr. Kirsten Schuijt, drejtoresha e përgjithshme e WWF International. Krizat e lidhura të humbjes së natyrës dhe ndryshimeve klimatike po shtyjnë jetën e egër dhe ekosistemet, përtej kufijve të tyre.
Në nivel rajonal, studimi zbuloi rëniet më të shpejta në Amerikën Latine e Karaibe, ku u regjistrua një rënie “shqetësuese” prej 95% çka u pasua nga Afrika, ku popullsia pësoi rënie me 76% dhe më pas Azia e Paqësori, ku rënia ishte 60%.
Humbja “katastrofike” e specieve u zbulua se ishte shkaktuar kryesisht nga:
– Degradimi dhe humbja e habitatit, për të cilat studimi thotë se nxitet kryesisht nga sistemi ushqimor i njeriut, si shkaktari kryesor i humbjes së popullsisë në çdo rajon të botës.
– Mbishfrytëzimi, si dhe speciet e sëmundjet pushtuese.
– Ndryshimet e klimës si të tjera shtytëse kryesore në humbjen e popullsisë, edhe pse ndikimi i tyre ishte më i madhi në Amerikën Latine e në Karaibe.
– Ndotja si një shtytëse me peshë në Amerikën e Veriut, si dhe në Azi e Paqësor.
Studimi paralajmëron se “pikat e kthesës globale” janë shumë të mundshme nëse trendet aktuale vazhdojnë.
“Natyra po zhduket me një shpejtësi alarmante”, thuhet në raport. Ndërsa disa ndryshime mund të jenë të vogla dhe graduale, ndikimet e tyre të grumbulluara mund të shkaktojnë një ndryshim më të madh e më të shpejtë.
Kur këto ndikime arrijnë një prag, ndryshimi bëhet vetëpërjetësues, duke rezultuar në ndryshime thelbësore, shpesh të papritura e potencialisht të pakthyeshme. Kjo quhet një pikë kthese. Raporti paralajmëron se bota po dështon në arritjen e qëllimeve globale.
Vendimet dhe veprimet e marra gjatë pesë viteve të ardhshme do të jenë vendimtare për të ardhmen e jetës në Tokë, theksoi Dr. Schuijt nga WWF.