Tech

Bie interneti, ndërprerje në nivel global!

Banka të mëdha, media, kompani telekomunikacioni e ajrore në të gjithë botën janë duke u përballur me ndërprerje masive të internetit dhe bllokim të kompjuterëve. Në Mbretërinë e Bashkuar, “Sky News” mbeti pa transmetim ndërsa kompania më e madhe britanike e trenave paralajmëroi pasagjerët të prisnin ndërprerje për shkak të “problemeve të përhapura IT”.

Në të gjithë botën, bankat, supermarketet dhe institucione të tjera të mëdha raportuan probleme kompjuterike që ndërpresin shërbimet, me disa linja ajrore që paralajmëruan për vonesa dhe disa aeroporte ndalojnë fluturimet.

Brenda natës, Microsoft konfirmoi se po hetonte një problem me shërbimet dhe aplikacionet e tij, me website-et e shërbimit të gjigantit të teknologjisë që paralajmëroi për “degradim të shërbimit”, që nënkuptonte se përdoruesit mund të mos jenë në gjendje të kenë akses në shumë nga shërbimet më të njohura të kompanisë, të përdorura nga miliona biznese e njerëz në mbarë botën.

Eksperti i sigurisë kibernetike Troy Hunt, gjithashtu raportoi se kishte parë probleme në firmën globale të sigurisë kibernetike “Crowdstrike”, me atë australiane të Telekomunikacionit “Telstra” që postoi në X se ndërprerja në mbarë botën ishte “për shkak të një çështjeje globale që prek Microsoft-in dhe Crowdstrike”-un.

Ndër të prekurat janë “Ryanair”, me kompaninë ajrore që poston në faqen e saj të internetit:

Ndërprerje të mundshme në të gjithë rrjetin, e premte 19 korrik për shkak të një rënieje globale të sistemit të palëve të treta. Pasagjerët e prekur do të njoftohen dhe çdo pasagjer që udhëton duhet të kontrollojë aplikacionin “Ryanair” për përditësimet më të fundit në fluturime.

Ne këshillojmë pasagjerët që të mbërrijnë në aeroport tre orë përpara fluturimit të tyre për të shmangur çdo ndërprerje. Na vjen keq për çdo shqetësim që u shkaktohet pasagjerëve nga kjo çështje IT e që është jashtë kontrollit të Ryanair-it dhe prek linjat ajrore që operojnë në të gjithë rrjetin.

Aeroporti i Edinburgut tha se ndërprerja e IT po shkakton kohë më të gjata pritjeje. Një zëdhënës deklaroi:

Një ndërprerje e sistemit IT do të thotë se koha e pritjes është më e gjatë se zakonisht në aeroport. Kjo ndërprerje po prek edhe shumë biznese të tjera, përfshirë aeroportet. Puna është duke vazhduar për ta zgjidhur këtë dhe ekipet tona janë gati për të ndihmuar aty ku mundemi. Pasagjerët falënderohen për durimin e tyre.

Ndërkohë, Govia Thameslink Railway (GTR), kompania mëmë e Southern, Thameslink, Gatwick Express dhe Great Northern paralajmëroi pasagjerët të prisnin vonesa për shkak të problemit.

Nuk dihet nëse ekziston ndonjë lidhje me problemet që ka raportuar gjiganti Microsoft, orë më parë. Ka njoftime që sugjerojnë se kompania për siguri kibernetike, “Crowdstrike”, e cila krijon softuerë kundër viruseve kompjuterike, ka nisur një përditësim, por që ka shkuar shumë keq dhe është duke prekur pajisjet Windows. Kjo bën që të përjashtohet mundësia e një sulmi kibernetik nga hackerat.