Bota

Biden zotohet të luftojë, duke hedhur poshtë thirrjet për t’u larguar!

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden është kundërpërgjigjur ndaj kritikave rreth moshës së tij, duke u thënë mbështetësve në një fjalim – se ai do të fitojë zgjedhjet në nëntor – pas një performance të dobët në debatin me kundërshtarin e tij, sipas BBC.

“Unë e di që nuk jam një djalë i ri”, tha Biden dje në një takim në Karolinën e Veriut, një ditë pasi shfaqi vështirësi në përballjen televizive me rivalin e tij republikan, Donald Trump.

“Unë nuk eci aq lehtë sa dikur… Unë nuk debatoj aq mirë sa dikur. Por unë di të them të vërtetën dhe di si ta bëj këtë punë”, tha ai.

“Besoj me “zemër dhe shpirt” se mund të shërbejë në një mandat tjetër”, shtoi Biden 81 vjeç.

Ndërsa pyetjet mbi moshën e Biden nuk janë të reja, performanca e tij ‘e lëkundur’ në skenën e debatit – e cila u shënua nga boshllëqe verbale, një zë i ngjirur dhe disa përgjigje të vështira për t’u ndjekur – shkaktoi panik tek disa demokratë që ngritën pyetje të reja rreth kandidaturës së tij.

Fushata e Biden ka theksuar se kandidati më i vjetër presidencial i vendit është ende i aftë për të shërbyer edhe një mandat.

Zyrtarët e fushatës thanë se ai nuk do të tërhiqej për një kandidat tjetër, pavarësisht performancës së dobët.

Në ditët që pasuan, shumë demokratë të lartë dhe aleatë Biden kanë bërë përpjekje për të mbrojtur performancën e ish-presidentit dhe për të qetësuar nervozizmin liberal.

Të premten, bordi redaktues i “New York Times” i bëri thirrje Biden të largohej nga kandidatura.

“Demokratët duhet të pranojnë se Biden nuk mund të vazhdojë garën e tij dhe të krijojnë një proces për të zgjedhur dikë më të aftë për të qëndruar në vendin e tij”, tha bordi,

Ndërkohë, Trump mbajti një takim në Virxhinia vetëm disa orë më vonë, ku përshëndeti “fitoren e madhe” në debat, të cilin CNN tha se u ndoq nga 48 milionë njerëz në televizion dhe miliona të tjerë në internet.

“Problemi i Joe Biden nuk është mosha e tij. Është kompetenca e tij. Ai është jashtëzakonisht i paaftë”, tha 78-vjeçari Trump

Ish-presidenti tha se nuk i besonte spekulimet se Biden do të tërhiqej nga gara.