Bota

Biden-Zelensky sot firmosin marrëveshje të re sigurie SHBA-Ukrainë!

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden dhe homologu i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, sot do të nënshkruajnë një marrëveshje dypalëshe sigurie mes dy vendeve të tyre. Kjo pritet të ndodhë kur të takohen në kuadër të takimit të nivelit të lartë të Grupit të Shtatëshes në Itali. Një hap i tillë synon që t’i dërgojë një sinjal të qartë Rusisë lidhur me vendosmërinë amerikane në mbështetje të Kievit, siç u shpreh Shtëpia e Bardhë ndërsa presidenti Biden po udhëtonte drejt Europës.

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Jake Sullivan tha se marrëveshja nuk do të angazhojë drejtpërsëdrejti forcat amerikane përballë sulmit të Rusisë, një vijë e kuqe kjo e përcaktuar nga presidenti Biden, i cili nuk dëshiron tërheqjen në një konflikt të drejtpërdrejtë me një fuqi bërthamore.

Njoftimi për këtë marrëveshje të re u bë ndërsa presidenti Biden shkon për në takimin e nivelit të lartë të vendeve më të mëdha demokratike të botës, me një ndjesi të shtuar urgjence për të arritur rezultate, përfshirë shfrytëzimin e pasurive të ngrira ruse prej miliarda dollarësh për të ndihmuar Ukrainën të zmbrapsë sulmin e makinerisë ruse të luftës.

Duam të tregojmë se Shtetet e Bashkuara mbështesin popullin e Ukrainës, se u qëndrojmë përkrah dhe se do të vazhdojmë t’i ndihmojmë për të përmbushur nevojat e tyre të sigurisë”, tha zoti Sullivan, duke shtuar se “kjo marrëveshje do të tregojë vendosmërinë tonë”. Sullivan informoi se akordi i ri, tani ka marrë miratimin e 15 vendeve të tjera.

Nëse Vladimir Putini mendon se mund të mbizotërojë përballë koalicionit që mbështet Ukrainën, ai gabohet.

Takimi i këtij viti vjen tre vite pasi presidenti Joe Biden deklaroi në takimin e tij të parë të G7-ës se Amerika ishte rikthyer si një vend udhëheqës në botë, pas problemeve në të cilat hasën aleancat perëndimore gjatë periudhës kur ishte president Donald Trump.

Në varësi të rezultateve të zgjedhjeve të këtij viti e që mbahen në muajin nëntor, ekziston mundësia që ky mund të jetë takimi i fundit i nivelit të lartë i G7-ës për kreun aktual të Shtëpisë së Bardhë, Joe Biden dhe udhëheqës të tjerë që gjithashtu marrin pjesë.

Takimi i nivelit të lartë fillon sot ndërsa në mbarë Europën, partitë e së djathtës ekstreme fituan në mënyrë befasuese terren në zgjedhjet e sapopërfunduara për Bashkimin Europian.