Presidenti amerikan, Joe Biden telefonoi presidentin e zgjedhur Donald Trump për t’i uruar fitoren në zgjedhjet presidenciale dhe e ftoi për një takim në Shtëpinë e Bardhë. Nëpërmjet një deklarate, Shtëpia e Bardhë u shpreh se pas fitores së Trump-it, presidenti Biden gjithashtu u angazhua “për të siguruar një tranzicion të qetë e theksoi rëndësinë për të bashkuar vendin”.
Po sipas deklaratës, presidenti Biden ka folur edhe me kandidaten demokrate Kamala Harris. Presidenti i Shteteve të Bashkuara do t’i drejtohet kombit me një fjalim ditën e sotme. Dje, Kamala Harris u shpreh:
Duhet të pranojmë rezultatin e zgjedhjeve!
Po ashtu, nxiti mbështetësit që të vazhdojnë të luftojnë për vizionin për vendin pas humbjes së saj ndaj ish-presidentit Donald Trump. Zv.presidentja demokrate u shpreh se beteja do të vazhdojë “në kutitë e votimit, në gjykata dhe në sferën publike”.
Para fjalimit, Harris telefonoi presidentin e zgjedhur Donald Trump për të pranuar humbjen në garën presidenciale dhe për ta uruar lidhur me fitoren, sipas një këshilltari të lartë të zv.presidentes. Këshilltari, i cili nuk pranoi të identifikohej në mënyrë që të diskutonte për një bisedë private, u shpreh se Kamala Harris foli në lidhje me nevojën për një transferim paqësor të pushtetit.
Harris u bë kandidatja demokrate pasi Joe Biden pati një paraqitje të dobët në debatin presidencial të 27 qershorit përballë ish-presidentit Donald Trump. Ai u tërhoq nga gara më 21 korrik dhe mbështeti zv.presidenten e tij, e cila bashkoi me shpejtësi Partinë Demokratike rreth kandidaturës së saj.
Donald Trump zhvilloi një fushatë që në fokus pati maskilizmin e theksuar, duke u përpjekur aktivisht të bënte për vete veçanërisht të rinjtë meshkuj, me intervista në podcaste të njohura për audiencën mashkullore. Në javët përmbyllëse të fushatës, ish-presidenti dhe shumë aleatë bënë komente e shaka seksiste për demokraten Kamala Harris dhe u paralajmëruan se rrezikonin të thellonin hendekun gjinor por në fund, nuk rezultoi i theksuar. Gjinia nuk ishte faktor qendror në zgjedhjet presidenciale të fituara nga Donald Trump.