Bota

Biden thirrje Hamasit të pranojë marrëveshjen e armëpushimit!

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden dhe gjashtëmbëdhjetë liderë të tjerë botërorë kërkuan sot nga Hamasi, grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-të dhe fuqi të tjera, që të pranojë një marrëveshje armëpushimi ndërsa nga Izraeli, që të pranojë kompromise.

Nuk ka kohë për të humbur. Ne i bëjmë thirrje Hamasit të mbyllë këtë marrëveshje.

Deklarata u nënshkrua nga krerët e fuqive kryesore europiane, Britanisë, Francës dhe Gjermanisë, si dhe nga Spanja, shtet që së fundi e ka njohur shtetin palestinez. Kjo deklaratë mblodhi edhe liderë të Brazilit dhe Kolumbisë.

Deklarata e së enjtes u nënshkrua gjithashtu nga Tajlanda, e cila ka një fuqi të madhe punëtorësh në Izrael. Vende të tjera që sigluan dokumentin ishin Austria, Bullgaria, Kanadaja, Danimarka, Polonia, Portugalia, Rumania e Serbia.

Shtetet e Bashkuara kanë thënë vazhdimisht se i takon Hamasit të pranojë marrëveshjen, por deklarata gjithashtu bëri thirrje për fleksibilitet nga Izraeli.

Në këtë moment vendimtar, ne u bëjmë thirrje udhëheqësve të Izraelit si dhe Hamasit që të bëjnë çdo kompromis përfundimtar të nevojshëm për të mbyllur këtë marrëveshje dhe për të sjellë lehtësim për familjet e pengjeve, për ata në të dyja anët e këtij konflikti të tmerrshëm, përfshirë civilët. Eshtë koha që lufta të përfundojë dhe kjo marrëveshje është pika e nevojshme fillestare.

Ditë më parë, Biden shpalosi një propozim me tre faza të Izraelit për përfundimin e konfliktit në Rripin e Gazës, duke thënë se “ka ardhur koha që kjo luftë të marrë fund”.

Faza e parë përfshin një armëpushim gjashtë-javor, gjatë të cilit forcat izraelite do të tërhiqeshin nga “të gjitha zonat e banuara të Gazës”. Disa pengje, të moshuar dhe gra do të liroheshin në këmbim të lirimit të qindra të burgosurve palestinezë; civilët palestinezë do të ktheheshin në shtëpitë e tyre në Gazë; dhe 600 kamionë në ditë do të dërgonin ndihmë humanitare në enklavën e rrënuar.

Në fazën e dytë, Biden tha se do të shkëmbeheshin të gjitha pengjet e gjalla, përfshirë ushtarë; forcat izraelite do të tërhiqeshin nga Gaza dhe armëpushimi i përhershëm do të niste.

Faza e tretë përfshin një plan të madh rindërtimi për Gazën, si dhe rikthimin e trupave të pajetë të pengjeve te familjet e tyre. Hamasi e sulmoi Izraelin më 7 tetor të vitit të kaluar, duke vrarë mbi 1.200 njerëz dhe duke marrë peng rreth 250 të tjerë.