Bota

Biden-Starmer në Uashington/Presidenti amerikan shpërfillës ndaj kërcënimeve të Putinit!

Presidenti amerikan, Joe Biden shpërfilli një kërcënim nga udhëheqësi rus, Vladimir Putin për luftë me Perëndimin nëse aleatët e Ukrainës lejojnë që ajo të përdorë armë me rreze të gjatë veprimi në thellësi të Rusisë.

Eshtë një kërkesë që Kievi po e bën me këmbëngulje, por megjithëse kjo çështje pritej të ishte një nga temat kryesore të takimit të djeshëm të Biden-it me kryeministrin britanik Keith Starmer në Uashington, nuk pati njoftim për ndonjë vendim pas tij.

Ukraina e shumë prej mbështetësve të saj në SHBA dhe Europë duan që Biden të heqë kufizimet për armët me rreze të gjatë veprimi të dërguara nga Perëndimi. Ka shenja që presidenti amerikan mund ta ndryshojë politikën e administratës në këtë drejtim.

Të shqetësuara për çdo hap që mund të përshkallëzojë konfliktin, SHBA-të janë treguar të matura, para se t’u përgjigjeshin kërkesave të Ukrainës për armë të caktuara, përfshirë tanke të avancuara, raketa dhe sisteme raketash e avionë luftarakë F-16.

Zyrtarët rusë kanë bërë kërcënime të ngjashme përpara vendimeve të mëparshme. Ukraina ishte temë kryesore për Biden-in e kryeministrin britanik Starmer pas vizitës këtë javë në Kiev nga kryediplomatët e tyre.

Deri tani, Amerika e ka lejuar Ukrainën të përdorë armë të dërguara prej saj vetëm në një zonë të kufizuar brenda kufirit të Rusisë me Ukrainën. Starmer tha se për këtë çështje, bisedimet do të vazhdojnë kur udhëheqësit globalë të mblidhen për takimin vjetor të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së këtë muaj.

Ukraina ka të drejtën për vetëmbrojtje dhe ne jemi të bashkuar.

Presidenti Putin u shpreh se autorizimi i sulmeve me rreze të gjatë veprimi “do të thotë se vendet e NATO-s, Shtetet e Bashkuara dhe vendet europiane, janë në luftë me Rusinë”. Biden tha se do ta bëjë të qartë se “Putin nuk do ta fitojë luftën”.

I pyetur se çfarë mendon për kërcënimet e presidentit rus, Biden u përgjigj:

Nuk mendoj shumë për Vladimir Putinin.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy u ka bërë presion udhëheqësve ushtarakë amerikanë dhe aleatëve që të shkojnë shumë më tej. Ai argumenton se Shtetet e Bashkuara duhet t’i lejojnë Ukrainës të godasë bazat ajrore ruse nga ku fillohen sulmet pranë kufirit, pasi Rusia ka shtuar sulmet ndaj rrjetit energjitik të Ukrainës e shërbimeve teksa po afron dimri.

Gjatë një takimi të ministrave të mbrojtjes të vendeve aleate javën e kaluar, sekretari i Mbrojtjes, Lloyd Austin tha se nuk beson se furnizimi i Ukrainës me sisteme të armëve me rreze të gjatë veprimi do të arrinte një ndryshim domethënës në këtë luftë të zgjatur.

Ukraina ka qenë në gjendje të godasë brenda Rusisë me sistemet e prodhuara vetë brenda vendit, përfshirë dronët. Nuk besoj se një aftësi e caktuar do të jetë vendimtare, dhe unë i qëndroj këtij komenti.