Bota

Biden sot mban të fundit fjalim në OKB si president i Amerikës!

Presidenti amerikan, Joe Biden, sot do të mbajë fjalimin e fundit para Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në cilësinë e presidentit të Shteteve të Bashkuara. Në qendër të këtij fjalimi, si dhe të takimeveve të tjera të Biden-it në Nju Jork me udhëheqës të vendeve të ndryshme të botës do të jetë situata në Lindjen e Mesme e ndikimi i veprimeve të tij në këtë konflikt.

Fjalimi i Biden-it vjen në një moment kyç, siç tha përfaqësuesja amerikane në OKB, Linda Thomas Greenfield:

E themi çdo vit, por kjo asamble nuk mund të përkonte në një moment më kritik dhe sfidues. Lista e krizave dhe konflikteve që kërkojnë vëmendje dhe veprim duket se po rritet vazhdimisht.

Në krye të kësaj liste është situata në Gaza. Në këtë çështje, qëndrimi amerikan nuk është në të njëjtën linjë me pjesën tjetër të vendeve të asamblesë e që javën e kaluar, miratoi me shumicë dërrmuese një rezolutë që i kërkonte Izraelit t’i japë fund pushtimit të territoreve palestineze brenda 12 muajve të ardhshëm.

Shtetet e Bashkuara ishin në mesin e 14 votave “kundër”. Thomas-Greenfield deklaroi se ishin në përputhje me qëndrimin e Uashingtonit kundër “masave të njëanshme që pengojnë perspektivën e një zgjidhjeje me dy shtete”.

Nga Biden, analistët pritet të flasë për mbështetjen e tij për Izraelin dhe Ukrainën. Sipas njohësve, këto dy konflikte janë dy sfidat më të mëdha të presidentit, ndërsa ai përfundon mandatin.

Me Lindjen e Mesme dhe shpresat për parandalimin e zgjerimit të konfliktit në një luftë rajonale, të gjithë mund të supozojnë mbi atë se çfarë do të ndodhë, u shpreh Jim Kessler nga organizata “Third Way”.

Një gjë është e qartë: ndërsa konflikti i afrohet kufirit të një viti, rreth 100 persona po vazhdojnë të mbahen peng nga Hamasi. Shtëpia e Bardhë thotë se kthimi i tyre në shtëpi është përparësia kryesore dhe shtylla e një marrëveshjeje për të ndalur luftimet mes Izraelit e grupit militant.

Eksperti Kessler tha se shumë udhëheqës do ta presin ngrohtë fjalimin e fundit të presidentit Biden, pasi ai ka shfrytëzuar mandatin për të rindërtuar aleancat dhe rivendosur normat globale.

Ka shumë simpati për të në shumicën e vendeve. Sigurisht, ka disa vende që nuk e pëlqejnë.