Bota

Biden e pranon: Ditët në vijim, vendimtare për të shpëtuar kandidaturën!

Presidenti amerikan Joe Biden thuhet se ka pranuar në rrethet private se ditët në vijim do të jenë kritike për të shpëtuar ose jo kandidaturën e tij presidenciale, teksa i ka thënë dje një aleati se motivet që e nxisin të vazhdojë “nuk po funksionojnë”, shkruan rrjeti amerikan CNN.

 “Ai e kupton momentin. Ka pamje të qartë,” tha personi i afërt, sipas CNN.

Presidenti e di se ngjarjet në ditët e javët në vijim do ta detyrojnë atë të pranojë se tentativa e rekuprimit të imazhit në debatin katastrofik të javës së shkuar, nuk funksionoi.

 “Do të ishte një skenar i rënies së mbështetjes, i donacioneve që nuk po vijnë më, dhe e intervistave që shkojnë keq e më keq,” thotë më tej burimi misterioz i CNN.

Që prej debatit të dobët të së enjtes demokratët kanë shprehur shqetësim dhe disa kanë bërë thirrje për largimin e Biden nga partia.

‘The New York Times’ shkruante sot se Biden e di se nuk shpëton dot fushatën nëse nuk arrin të performojë mirë në eventet publike të ditëve në vijim, por Shtëpia e Bardhë e mohoi raportimin.

Në bisedën private të së martës Biden raportohej se  “ndjehej në faj” dhe fajësonte veten dhe jo stafin elektoral për debatin.

Burimi anonim i CNN shtonte: “Ai ankohej se ‘kam bërë shumë politikë të jashtme’, duke iu referuar udhëtimeve në Francë e Itali, dhe se ndryshimi zonave kohore i ka shkaktuar lodhje, duke mos u rekuperuar në kohë për debatin”.

Biden e përmendi këtë dhe në një event për mbledhje fondesh të martën në Virginia, ku tha se 2 udhëtimet zyrtare ishin një ide e keqe, shkruan rrjeti CNN.