Vangjel Tavo u betua si kryetar i Bashkisë së Himarës, sot në mbledhjen e Këshillit Bashkiak. Në fjalën para këshilltarëve, Tavo premtoi se do t’i shërbejë çdo banori pa dallim bindjesh politike se siç theksoi, “Himara është e pandarë”. Ai vuri në dukje se “bashkia do të jetë transparente në administrimin dhe përdorimin e fondeve publike”.
Kryebashkiaku i ri siguroi se zbatimi i ligjit, transparenca, bashkëpunimi, përgjegjshmëria, gjithpërfshirja e shërbimi do të jenë “parime të panegociueshme për të”.
Unë do drejtoj duke i shërbyer çdo banori, pa dallim bindjesh politike, statusi shoqëror apo përkatësie zone e krahine. Kjo bashki nuk do ketë ngjyrë partiake sepse Himara është një dhe e pandarë.
Bashkia e Himarës nuk do jetë preferenciale, por gjithëpërfshirëse, nuk do jetë një godinë burokratike por një qendër komunitare me zemër e me mendje, që përkujdeset thellësisht për nevojat jetike të banorëve e që ideon plane zhvillimore që do të konsolidojnë Himarën e së ardhmes ashtu siç e meriton, kartolinë e jugut dhe e Rivierës së vendit, destinacioni më mikpritës, më tërheqës e më i mrekullueshëm i vizitorëve vendas e të huaj.
Kjo bashki do jetë transparente në administrimin dhe përdorimin e fondeve publike sikurse edhe mikpritëse për çdo lloj bashkëpunimi me sektorin jo-publik që i shërben zhvillimit të Himarës dhe përmirësimit të standardit të jetesës së banorëve.
Kujtojmë se Vangjel Tavo u zgjodh në këtë detyrë më 4 gusht, në zgjedhjet e pjesshme lokale e ku fitoi garën me rreth 1 mijë e 500 vota më shumë se kundërshtari i tij nga opozita, Petraq Gjikuria. Socialisti Tavo do të ushtrojë mandatin e kryebashkiakut për 3 vite, deri më 2027-ën kur do të mbahen zgjedhjet lokale të radhës.
Kujtojmë se votimet në Himarë pasuan vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, KQZ që i hoqi mandatin Fredi Belerit. Ky i fundit u zgjodh në vendoret e majit të vitit të kaluar, por fitorja si kryetar i Bashkisë Himarë, si kandidat i opozitës e gjeti në qeli, i arrestuar për shit-blerje votash. Beleri nuk mundi të bëjë betimin. Pak kohë më parë u zgjodh deputet i Parlamentit Europian dhe në fillim të muajit u lirua me kusht nga Gjykata e Fierit.