Aktualitet Politikë

Betohen në Presidencë ministrat e rinj të kabinetit qeveritar!

Ministrat e rinj të kabinetit qeveritar u betuan sot para Presidentit të Republikës, Bajram Begaj. Ceremonia e betimit u zhvillua në orën 10:00 në mjediset e Presidencës.

Para Kryetarit të Shtetit u betuan ministri i Brendshëm Ervin Hoxha, ministri i Mbrojtjes, Pirro Vëngu, ministri i Financave, Petrit Malaj dhe ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla.

Mes kundërshtive të opozitës, ndryshimet e reja në qeveri u votuan dje në Kuvend, pasi morën dekretin e presidentit Begaj me propozim të kryeministrit Edi Rama. Kaosi u rikthye në Parlament pas vendimit të Ramës për të miratuar në një seancë të jashtëzakonshme 4 ndryshime në kabinet si dhe zgjedhjen e Elisa Spiropalit në krye të Kuvendit.

Lindita Nikolla u ul për herë të fundit në karrigen e kryeparlamentares, por nuk pati asnjë lëshim për opozitën që shkoi me planin për të debatuar 6 orë. Gazment Bardhi shpërfilli thirrjen për t’u larguar nga salla dhe bashkë me kolegët blindoi foltoren. Socialistët nuk kishin nevojë për votat e opozitës dhe ecën para me procesin e votimit.

Ministrat e rinj  ndoqën votimin nga llozha, ndërsa ish-ministri   i Mbrojtjes, Niko Peleshi qëndroi krah deputetëve që do t’i drejtojë në sesionin e ri parlamentar. Taulant Balla, i ulur për herë të fundit në karrigen e ministrit të Brendshëm, tregoi se kishte mbështetjen e dy deputetëve të PDIU-së, Nusret Avdullai e Gëzim Ademaj, të cilët votuan pro emërimit të tij si ministër Shteti për Marredhënien me Parlamentin. Ata abstenuan për ndryshimet e tjera në kabinetin Rama.

Protesta e opozitës  në sallë nuk ndali votimin, por ndryshoi procedurën për  zgjedhjen e kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali. U  shmang votimi tradicional me kuti dhe u kalua në votim elektronik të fshehtë. Elisa Spiropali  mori 75 vota për të drejtuar Parlamentin, por jo votën e kryeministrit Rama dhe ministres Balluku, të cilët në tabelë, rezultuan që nuk votuan.

Dy deputetët e PDIU-së vijuan me pjesëmarrjen në votim, por ato që ranë në sy ishin dy votat  nga radhët e demokratëve. Ori Nebijaj dhe Gazment Bardhi, i cili ishte në foltore e për të votoi kolegia ngjitur. Elisa Spiropali mori fjalën pasi procesi u mbyll mes zhurmës dhe kaosit. Mesazhin  kryesor e kishte për opozitën që nuk e priti me duartrokitje.

Në emër të opozitës, nënkryetari demokrat i Parlamentit, Agron Gjekmarkaj, mesazhin e tij e dha në oborrin e Kuvendit. Parlamenti mbylli dyert duke paralajmëruar sesion “të zjarrtë” në vjeshtë.

Kuvendi miratoi:

Pirro Vëngu, ministër i Mbrojtjes: 77 vota pro, 2 abstenim nga deputetët e PDIU-së, 13 kundër;

Ervin Hoxha, ministër i Brendshëm: 76 vota pro, 2 abstenim nga deputetët e PDIU-së, 11 kundër;

Taulant Balla, ministër për Marrëdhëniet me Parlamentin: 78 vota pro, mes të cilëve edhe dy deputetët e PDIU-së, 9 kundër;

Petrit Malaj, ministër i Financave: 77 vota pro, 2 abstenim nga deputetët e PDIU-së e 14 kundër;

Elisa Spiropali, kryetare e Kuvendit: 75 vota pro, 4 kundër.