Rajoni

Betohen kryetarët e rinj shqiptarë të tre komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës!

Tre kryetarët e rinj shqiptarë të Zubin Potokut, Zveçanit e Leposaviçit, komuna të banuara me shumicë serbe, sot bënë betimin. Ata u zotuan të punojnë në të mirë të qytetarëve, duke respektuar ligjin. Izmir Zeqiri, i cili do të drejtojë Zubin Potokun, deklaroi:

Uroj që ne, tani e tutje, të jemi në nivel të përgjegjësisë më të lartë, duke ua ofruar qytetarëve të Komunës së Zubin Potokut, pa asnjë dallim, të gjitha shërbimet. Do të shkojmë në komunë të Zubin Potokut. Të gjitha objektet që u takojnë qytetarëve dhe komunës, do të jenë në posedim të të gjitha dikastereve të drejtuara nga kabineti i komunës.

Ceremonia e betimit të Zeqirit u zhvillua në objektin e Zyrës Komunale për Komunitete, në fshatin Çabër të Zubin Potokut, ndërsa ceremonia për Ilir Pecin në Zveçan, në shkollën fillore “Isa Boletini”, në fshatin Boletin.

Do të punoj për të gjithë. Do të jem i barabartë për të gjithë qytetarët e Komunës së Zveçanit.

Peci u shpreh se nuk e di se kur do të mund të ketë akses në objektin kryesor të komunës që shfrytëzohet dhe nga strukturat paralele serbe. Betimin e bëri dhe kryetari i ri i Leposaviçit, Lulzim Hetemi, ndërsa ai i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiç u betua më 19 maj.

Kryetarët u zgjodhën në votimet e jashtëzakonshme të prillit, të bojkotuara nga komuniteti serb, pas kërkesës së Listës Serbe. Katër komunat në veri ishin pa drejtues që në fillim të nëntorit kur udhëheqësit e tyre serbë dhanë dorëheqje.

Institucionet e Kosovës i braktisën dhe të tjerë zyrtarë serbë në veri, në shenjë kundërshtimi ndaj një vendimi të qeverisë në Prishtinë, për t’i riregjistruar makinat me targa ilegale serbe.

Pjesëtarët e komunitetit serb i bojkotuan zgjedhjet e prillit dhe thanë se nuk i pranojnë rezultatet, pra kryetarët e rinj nga komuniteti shqiptar. Pjesëmarrja në këto zgjedhje ishte 3.47%.

Reagimet nga Beogradi

Nga Beogradi zyrtar pati reagime kundër kryetarëve shqiptarë në komunat e banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës. Duke nënvizuar se ata “kurrë nuk do të pranohen si kryetarë”, presidenti serb Vuçiç tha se “kjo është përpjekje për presion mbi serbët, që të largohen nga shtëpitë e tyre”.