Policia në Spanjë ka arrestuar pesë persona të cilët, duke pretenduar se janë ylli i Hollivudit, Brad Pitt në profile të rreme të krijuara në internet, mashtruan dy gra dhe u morën 325 mijë euro. “Të arrestuarit kontaktuan gratë nga një faqe e fansave të aktorit fitues të çmimit Oscar dhe i bënë të besonin se kishin një marrëdhënie emocionale me të”-tha në një deklaratë Garda Civile spanjolle.
Duke u paraqitur si Pitt, anëtarët e bandës më pas dyshohet se i inkurajuan gratë të investonin në projekte të ndryshme që nuk ekzistonin. Një gruaje, nga rajoni jugor i Andaluzisë iu morën 175,000 euro, ndërsa tjetra, nga shteti verior i Baskëve humbi 150,000 euro. “Kriminelët kibernetikë, për të kapur viktimat, kishin studiuar rrjetet e tyre sociale dhe kishin analizuar profilin e tyre psikologjik duke zbuluar se bëhet fjalë për dy persona vulnerabël pa afeksion dhe në gjendje depresioni”-nënvizoi policia.
Ata përdorën gjithashtu platforma mesazhesh dhe e-mail për të kontaktuar dy gratë që arritën aq larg sa ta besonin se po bisedonin në WhatsApp me vetë Pitt, ndërsa mashtruesit nga ana tjetër e kompjuterit u premtonin atyre romancë dhe një të ardhme së bashku. Pesë mashtruesit u arrestuan nga policia në rajonin jugor të Andaluzisë dhe mes tyre ndodhet edhe “truri” i rrjetit kriminal. Policia bastisi pesë shtëpi, duke sekuestruar disa telefona celularë, karta bankare, dy kompjuterë dhe një ditar i cili përmbante fraza të përdorura nga mashtruesit. Ata po ashtu arritën të rikuperojnë 85 mijë euro.
Rikujtojmë se George Clooney ka mohuar pretendimet se ai dhe Brad Pitt u paguan me nga 35 milionë dollarë për filmin Wolfs. New York Times raportoi se aktorët morën secili mbi 35 milionë dollarë për rolet e tyre në komedinë aksion të regjisorit Jon Watt. Duke iu adresuar raportimeve gjatë një konference për shtyp në premierën e filmit Wolfs në Festivalin e Filmit në Venecia, Clooney mohoi pretendimet. “Ishte një artikull interesant dhe cilido qoftë burimi i saj për pagën tonë, është miliona e miliona e miliona dollarë më pak se sa u raportua”-filloi ai.