I ftuar në “Live From Tirana” këtë episod ishte këngëtari i njohur Besnik Qaka, pjesë e grupit NRG Band, ku nëpërmjet një lidhjeje telefonike na tregoi më shumë për projektet e reja dhe për të rikujtuar këngët e tij më të bukura. Sigurisht që nuk mund të lihej pa u përmendur edhe bashkëpunimi i tij më i ri me Tunën.
“Prej teje se prita” është kënga e tyre e re, e cila e ka marrë komente mjaft pozitive rreth energjisë që ata kanë sjellë së bashku që javën e parë të lançimit të saj. Linja e tyre e veçantë muzikore është mjaft indentifikuese pë publikun, por këtë herë është sjellë ndryshe dhe me ngjyrime të tjera. I pyetur se çfarë e frymëzon për këtë zgjedhje, Besniku shprehet:
Së pari, midis grupit dhe njerëzit që bashkëpunojmë kemi një sistem pune dhe një energji shumë të mirë, prandaj edhe grupit ja kemi vënë emrin e tillë. Kur është energjia e tillë, ne edhe frymëzohemi për të krijuar. Kjo na bën që ne të qëndrojmë bashkë dhe të punojmë fort për fansat tonë dhe për të gjithë njerëzit që na suportojnë.
Grupi ka patur shumë bashkëpunime, por ky me Tunën duket se ka marrë pëlqime të shumta. Në lidhje me këtë, ai thotë:
Ne jemi grupi që kemi patur bashkëpunime, por kemi publikuar pak më rrallë nga të tjerët. Kjo këngë është brenda stilit tonë. Ajo përcjell energjinë dhe ka ngjyrën e grupit NRG Band, por edhe Tuna është si ajo natyrë, me stilin e saj. Ka ndodhur rastësisht kur ajo ka ardhur njëherë në studio dhe thamë pse mos e bëjmë një këngë bashkë.
Stili i tij mjaft europian dhe lançimi i këngës së famshme “Rina” ishin një evolucion për tregun e atëhershëm shqiptar dhe një qasje mes frymës perëndrimore e asaj vendase. I pyetur nëse ka qenë i inspiruar nga ndonjë person, ai tha:
Unë kam një karrierë mjaft të gjatë dhe jam rritur me një lloj muzike duke nisur nga Jazz e deri në RnB. Ideja ime ka qenë gjithmonë që të inspirohem nga të tjerët, por asnjëherë nuk kam imituar. Dua gjithmonë të shfaq dhe të krijoj stilin tim.
Nëse edhe juve ju pëlqen kjo këngë, ju mund të vazhdoni ta votoni atë për të qenë sa më gjatë pjesë e “The Top List”.