Besimtarët ortodoksë në të gjithë Shqipërinë kremtojnë Pashkët, ngjalljen e Jezu Krishtit. Për shkak të orës policore në kuadër të masave anti-COVID, në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në kryeqytet, mesha e mesnatës u shty për sot në mëngjes.
Ndryshe nga viti i kaluar, në këto Pashkë, në kisha është rikthyer një pjesë e konsiderueshme e besimtarëve duke ruajtur distancimin social. Festa e Pashkëve Ortodokse shoqërohet me vezën e kuqe, bukën e ëmbël, flakën e shenjtë dhe mishin e qengjit. Zakonisht në traditën ortodokse, vezët ngjyrosen ditën e enjte para Pashkëve dhe konsumohen të dielën ose ditët në vazhdim.
Nuk munguan urimet e politikës. Pak para mesnate, mesazhet i përcollën presidenti Meta e kryeministri Rama ndërsa sot kryeparlamentari Ruçi e kryedemokrati Basha. Fortlumturia e Tij Anastasi, Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë e dha më herët mesazhin e Pashkëve.
Pandemia koronavirus i ka reduktuar pjesëmarrjet në organizimet me rastin e Pashkëve ortodokse. Në Jerusalem, hyrja në Kishën ku besohet se është kryqëzuar Jezusi iu mundësua vetëm besimtarëve që ishin plotësisht të vaksinuar. Nisur nga vaksinimet masive, Izraeli ka hequr shumicën e kufizimeve anti-COVID, përfshirë vendosjen e maskës në publik. Në vitet para pandemisë, ishin me qindra mijëra turistë e pelegrinë që vizitonin vendet e shenjta në Jerusalem e Betlehem.
Patriarku Kirill i Moskës dhe gjithë Rusisë, drejtoi një ceremoni kishtare, ku mori pjesë edhe presidenti rus, Vladimir Putin.
Kleriku i tha televizionit Russia-24:
Këto Pashkë janë speciale e natyra speciale qëndron te shpresa se pandemia do të kalojë e do të na lërë me një numër të rëndësishëm mësimesh para se të largohet nga ne përgjithmonë.
Ndërkaq, Patriarku i Kishës Ekumenike Bartolomeu I, lideri shpirtëror i të krishterëve ortodoksë me bazë në Stamboll, organizoi disa festime të vogla gjatë fundjavës, pasi Turqia është nën masa të rrepta izolimi.
Top Albania Radio uron besimtarët ortodoksë “Gëzuar dhe për shumë vjet Pashkët!”