Aktualitet

Besimtarët katolikë sot festojnë Pashkën, ringjalljen e Krishtit pas kryqëzimit!

Besimtarët e krishterë në të gjithë vendin sot festojnë Pashkën, kremtimi më i madh në kalendarin liturgjik të Kishës Katolike dhe kishave të tjera të krishtera e që shënon ringjalljen e Jezu Krishtit pas kryqëzimit. Mbrëmjen e së shtunës, në të gjitha kishat katolike të vendit u mbajtën meshat e shenjta të vigjiljes së Pashkës, me ritet përkatëse.

Besimtarë të shumtë mbushën Katedralen e Shën Palit në kryeqytet për të ndjekur meshën që u drejtua nga Imzot Arjan Dodaj. Në mesazhin e tij, Arkipeshkvi i Tiranës dhe Durrësit, theksoi:

Falë Krishtit jemi bërë më të fortë se nata. Sa shumë dëshirojmë ta ndezim këtë zjarr në natën e errët që nxiti korrupsionin, largimin e të rinjve, dhunën ndaj grave. Sa dëshiroj të ndez një zjarr të ri që të mos kenë një utopi në familje, që të kenë sa më shumë fëmijë e të kenë një shtëpi. Gratë shikojnë te varri, të nxitura nga dashuria për Zotin.

Zoti nuk është në varr, as në kujtesë, Zoti është para nesh e na prin me hirin e tij, të aftë që të rilindim. Edhe ne, duke rikujtuar pagëzimin tonë, ripërtërijmë reformat tona pagëzimore. Do të rifillojë me gjeste shprese, sa themelore që sistemi i jetës politike, drejtësisë, shëndetit e arsimit të ketë vetëdijen që përgjegjësia s’është administrative dhe kushtetuese, por ndërgjegje. Sa fisnike e delikate kjo përgjegjës që ju ka besuar Zoti. Në këtë natë, dritës së vogël, por fitimtare i jemi bashkuar për të ndjekur Jezusin që na paraprin. Në vigjilien e Pashkës përjetojmë shpërthimin e britmës plot gëzim se është mundur vdekja.

Për festën e Pashkës, besimtarët shkëmbejnë dhe thyejnë vezët e lyera me ngjyrë të kuqe, simboli i jetës e me pas urojnë njëri-tjetrin për këtë ditë të shënuar. Veza e kuqe është një veçori karakteristike e kësaj feste që simbolizon jetën, që është e mbyllur dhe e përgjumur brenda lëvozhgës së saj, ndërsa ngjyra e kuqe e vezëve simbolizon sakrificën e Krishtit, simbolikë e fitores, gëzimit dhe jetës. Tradita e vezëve ka zanafillë pagane që vijon edhe sot e kësaj dite që simbolizon rilindjen e natyrës në stinën e pranverës.

Në tryezën e kremtimit të Pashkës nuk mungon mishi i qengjit, një tjetër simbolikë e kësaj feste prej shekujsh. Karakteristikë e kësaj feste është edhe qumështori, ëmbëlsirë tipike pranverore që përgatitet me vezë dhe shoqëruar me hudhra të njoma.

Top Albania Radio i uron të gjithë besimtarëve gëzuar Pashkën!