Aktualitet

Berlin, Kongresi PES mbyll punimet me fjalën e kancelarit Scholz!

Në kryeqytetin e Gjermanisë, Berlin ku merr pjesë në Kongresin e Partisë së Socialistëve Europianë, PES kryeministri Edi Rama takoi kancelarin Olaf Scholz. Në rrjetet sociale, shefi i qeverisë publikoi foto nga takimi me kancelarin gjerman, ndërsa bën të ditur se punimet dy-ditore të Kongresit të Socialistëve dhe Demokratëve Europianë, mbyllen sot në mesditë me fjalën e Scholz-it.

Ndërkohë, burime zyrtare pranë qeverisë gjermane bëjnë të ditur se kancelari Olaf Scholz, me homologët e Madridit e të Lisbonës, kryeministrin spanjoll, Pedro Sanchez dhe atë portugez, Antonio Costa ranë dakord për një përgjigje të bashkuar europiane për furnizimin me energji elektrike.

Liderët theksuan nevojën për një reagim të përbashkët ndaj çmimeve të larta të energjisë, ndërsa vazhdon lufta e Rusisë në Ukrainë, që po sjell pasoja. Gjithashtu ranë dakord për të diversifikuar burimet e energjisë, në mënyrë që të garantohet siguria e furnizimit të Europës.

Mësohet se Scholz, Sanchez e Costa nënvizuan rëndësinë e përshpejtimit të ndërtimit të gazsjellësve transkombëtarë të energjisë brenda Bashkimit Europian, duke përfshirë infrastrukturën e gazit, të aftë për të transportuar hidrogjen të prodhuar nga burime të rinovueshme.

Bisedimet e tyre erdhën pas mosmarrëveshjeve rreth ndërtimit të një gazsjellësi të ri nga Spanja përtej Pirenejve, një plan i favorizuar nga Gjermania dhe Spanja, por i kundërshtuar nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron. Siç dihet, Europa varet shumë nga energjia ruse, por në mënyrë urgjente po kërkon të heqë dorë nga furnizimet e Moskës, mes tensioneve të larta midis Perëndimit dhe Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë, që nisi më 24 shkurt të këtij viti. BE-ja dhe jo vetëm i vendosi sanksione shtetit rus, që u kundërpërgjigj.

Po ashtu, liderët diskutuan lidhur me sigurinë në Europë, ndërsa lufta e Rusisë vazhdon, duke rikonfirmuar mbështetjen e tyre të plotë për Kievin zyrtar, për aq kohë sa do të jetë e nevojshme.