Aktualitet Politikë

Berisha: Të shtunën në ora 12:00, opozitarët marshim në Shkodër!

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha sot se protesta e radhës e opozitës do të mbahet të shtunën në ora 12:00 e do të zhvillohet në Shkodër, në solidaritet me viktimat e ngjarjes së rëndë që ndodhi një ditë më parë.

Thirra sot këtë konferencë të jashtëzakonshme për shkak të masakrës që ndodhi dje në Shkodër, në të cilën në këtë qytet të bekuar, qytet, paqeje, pune, atdhetarie, jete e gëzimi. Tre qytetarë u ekzekutuan dhe një i katërt lufton me vdekjen në shtratin e reanimacionit në spital.

Në shenjë solidariteti me qytetarët e Shkodrës, ftoj të gjithë opozitarët kudo që janë, të shtunën në ora 12:00 në Shkodër, solidaritet me qytetarët e këtij vendi, me këtë qytetar të bekuar, si dëshmi që nuk do të pranojmë kurrë që krimi të mposhtë Shkodrën dhe shkodranët.

Kjo mosbindje civile do të duhej të thirrej në Tiranë, por dëshiroj t’u shprehim nga afër të gjithë solidaritetin tonë, qytetarëve të Shkodrës për të cilët Edi Rama ka zgjedhur hanxharët e krimit me qëllim e vetëm që të mbledhin vota, sepse i doli fytyra se kush është në Durrës.

Ndaj dhe ftoj të gjithë opozitaret dhe opozitarët, në ora 12:00 në Shkodër, solidaritet, mbështetje qytetare për banorët e mrekullueshëm, për qytetarët fisnik të këtij qyteti.

Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, reagoi sot lidhur me atentatin e ndodhur në Dobraç të Shkodrës, ku humbën jetën tre persona dhe një tjetër u plagos. Në një prononcim për mediat, Hoxha theksoi se policia po punon me kapacitete të plota për të zbardhur rrethanat e ngjarjes dhe se në Shkodër janë dërguar ekspertët më të mirë të Policisë Kriminale. Hoxha gjithashtu nënvizoi se kapacitetet e Policisë së Shtetit janë duke u rritur për të përballuar situata të tilla, duke siguruar kështu një përgjigje më efikase ndaj ngjarjeve makabre.

Dje të gjitha forcat e Policisë së Shtetit kanë shkuar në Shkodër për të bërë të mundur arrestimin e autorëve. Ata janë atje për të bërë detyrën e tyre. Shumë shpejt do të kemi një rezultat konkret në lidhje me ngjarjen që ka ndodhur dje.

Dyshohet për katër autorë në atentat. Dy qitës qëlluan me breshëri kallashnikovi ndaj dy shënjestrave që dje pasdite në Dobraç udhëtonin në të njëjtën makinë, Hamza Liçi, vëllai i të kërkuarit Ibrahim Liçi e Arlind Bushati. Ndërkohë, një person i tretë ka qenë duke drejtuar mjetin “Range Rover” të autorëve e dyshohet se u përfshi një tjetër, në rolin për të ndihmuar qitësit të largoheshin pasi dogjën makinën e tyre.