“Akt puçist” e cilësoi Sali Berisha ndërhyrjen e djeshme të policisë në parlament ku Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë u përplasën me deputetët e opozitës, në një konfrontim të ashpër. Në një deklaratë për media, kryetari i Partisë Demokratike, i cili prej dhjetorit të kaluar qëndron në arrest shtëpie për dosjen e privatizimit të klubit sportiv “Partizani” në Tiranë, tha se “veprimet e djeshme ishin tipike të një diktature” dhe se “kurrë nuk ka ndodhur që policia të futet në parlament”.
Unë dëgjova opinionistë të krahut qeveritar se këto kanë ndodhur. Nuk kanë ndodhur kurrë, u them unë atyre, që policia të hyjë në parlament. Nuk ka ndodhur kurrë. Por mos shfrytëzoni mikrofonat për të mashtruar publikun. Pra, ka një ligj dhe një Kushtetutë, por ky regjim nuk ka as ligj dhe as Kushtetutë.
Unë e përgëzoj deputetin Luan Baçi për përgjigjen që i dha dhe ftoj çdo qytetar t’u japë këtyre banditëve përgjigjen që meritojnë. Pra, ishte, po ta marrësh, po këta nuk kanë as ligj dhe as Kushtetutë, se ato ishin akte puçiste. Nuk mund të fusësh në territorin e parlamentit, pa vendim të parlamentit, forca të tjera përveç Gardës së Republikës.
Në fjalën e tij, Berisha theksoi se “mosbindja civile do t’u japë përgjigjen më të merituar” atyre që i quajti “akte kriminale antikushtetuese ndaj opozitës”. Po ashtu, Sali Berisha vuri në dukje se Partia Demokratike do të ketë pikë kryesore të programit Komisionin e së Vërtetës, që do të përbëhet nga qytetarë, nga zyrtarë, anëtarë të partive politike dhe anëtarë të shoqërisë civile, por edhe përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar.
Kërkesën për Komisionin e të Vërtetës, ne do ta paraqesim në Bruksel, në Strasburg, në Kongresin e Shteteve të Bashkuara pas zgjedhjeve, në të gjitha parlamentet e Europës. Ne do bëjmë detyrën tonë, sepse krimi i organizuar shqiptar nuk është vetëm një problem shqiptar.
Në një tjetër zhvillim, sot u caktua data e gjyqit për Sali Berishën, dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi dhe tre të pandehurit e tjerë, mes tyre ndërtuesi Fatmir Bektashi. Në Gjykatën e Posaçme, seanca paraprake do të mbahet më 24 tetor, ora 12:00 me gjyqtare Flojera Davidhin. Në lidhje me privatizimin e klubit sportiv “Partizani” në kryeqytet, ish-kryeministri akuzohet për “Korrupsion pasiv”. GJKKO-ja do të shqyrtojë materialet para se të vendosë lidhur me kalimin e dosjes për gjykim.
Malltezi akuzohet për “Korrupsion” dhe “Pastrim parash”, Bektashi për “Korrupsion aktiv” e “Pastrim të parave” ndërsa Xhimi Begeja dhe financierja Andia Pustina, për “Pastrim parash”. Pas hetimeve, SPAK-u dërgoi në GJKKO dosjen me 5 të pandehur duke kërkuar nisjen e gjykimit. Më 16 tetor, në Gjykatën e Posaçme u hodh shorti për të caktuar gjyqtaren e seancës paraprake. Flojera Davidhi do të marrë në shqyrtim dosjen me 333 fashikuj, për të vendosur nëse kalon apo jo për gjykim.