Ish-kryeministri Sali Berisha nga takim virtual me disa emigrantë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka komentuar mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike që kryedemokrati Lulzim Basha po mban në selinë blu, ku edhe tashmë është mbyllur votimi për për propozimin e shkarkimit të kryetarit të këtij institucioni, Edi Palokës si dhe disa prej anëtarëve të Kryesisë që ishin pjesë e Kuvendit të Berishës një ditë më parë.
Ish-kryeministri Sali Berisha e cilëson zhvillimin e Këshillit Kombëtar të PD-së, në kundërshtim me normat dhe ligjet, teksa deklaron se Basha nuk ka mbledhur dot as një të tretën e anëtarëve të Këshillit Kombëtar për të votuar.
Sipas tij, kryetari i Partisë Demokratike, e ka mbushur sallën me individë dhe punonjës të selisë së partisë.
“Ne nuk përballemi vetëm me deputetin Basha që nuk respekton asnjë normë, asnjë ligj dhe parim, përkundrazi. I marrë peng, ai vepron sipas urdhrave që merr. Ai i shkarkuar komplet, thërret Këshillin Kombëtar ku nuk paraqitet as 1 e treta e anëtarëve. Mbush sallën me individ dhe punonjës të godinës. Pavarësisht këtyre, ju garantoj se ky revolucion i filluar, nuk ka të ndalur. Ky revolucion, siç çmontoi diktaturën, do çmontojë narkoshtetin shqiptar”, tha Berisha.
Berisha komentoi edhe përjashtimin nga grupi parlamentar i PD-së.
Sipas tij, Basha me kërkesë edhe të DASH donin ta pengonin që të futej në parlament.
“Në këto kushte kur opozita përfundoi si shtojcë e qeverisë fillova nismën për shpëtimin e PD, për rithemelimin e saj, sepse kreu i PD vendosi në kundërshtim me çdo rregull me kërkesë të ambasadores amerikane dhe DASH të më pengojë që të futem në parlament, por pasi dështoi ai më përjashtoi nga grupi. Pra ai dorëzoi sovranitetin e forcës tonë politike.
Zoti Blinken ka të drejtë të përcaktojë se cili mund të hyjë ose jo në SHBA, por nuk ka të drejtë të diktojë të hyjë apo jo në parlamentin shqiptare. Ndaj dhe unë për të rivendosur sovranitetin e PD rivendos atë si opozitë e vërtetë.
Shpallja non grata i Sali Berishës është unik në botë. Nuk ka asnjë në listën e të shpallurit non grata që mos ketë ekzistuar asnjë akuzë nga asnjë individ apo institucion.
Unë u shpalla non grata dhe për një arsye tjetër madhore, tre javë pasi partia që unë mbështet humbi zgjedhjet. Projekti ishte që kjo parti të shndërroheshe në aleatë të PS. Unë këtë nuk e pranoja.
Nëse ky vend humbet dhe opozitën kjo do ishte tragjedi e madhe për këtë. Si veprova? Unë vendosa ti drejtohem gjykatës dhe hodha në gjyq për shpifje sekretarin e shtetit që kishte firmosur vendimin. E mbajta një çështje personale dhe kërkova që askush mos merrej me këtë pune. Fillova një fushatë informimi, me qëllimin e vetëm për tu thënë se është abuzuar rënde me ligjin e kongresit. Ligji nuk parashikon shpallje non grata pa fakte”, tha Berisha.