Aktualitet Politikë

Berisha: Opozita ka zbritur në shesh dhe nuk tërhiqet

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot se, opozita ka zbritur në shesh dhe nuk do të tërhiqet. Në një konferencë për mediet, Berisha foli për mandatin e deputetit Ervin Salianji.

Berisha dënoi me forcë atë që e cilësoi si marrje e pushtetit të Komisionit të Mandateve.

“Jam para jush për të dënuar me forcën më të madhe qëndrimin brutal të Edi Ramës, i cili me zëdhënësen e tij, që nuk po përdor epitete, duke marrë pushtetin e Komisionit të Mandateve, ekzekutoi në një akt antikushtetues, antiligjor, vendimin politik të kreut të krimit të organizuar dhe narkoshtetit në Shqipëri, Edi Ramës, për burgosjen e deputetit Ervin Salianji, nënkryetarit të grupit të PD, për rrjedhojë anëtarit të kryesisë së parlamentit shqiptar”, tha Berisha.

Berisha reagoi edhe ndaj deklaratës së ministrit të Brendshëm, Ervin Hoxha, i cili sipas tij, “kërcënoi deputetët e opozitës”.

“Deputetët e opozitës as nuk tremben, as nuk tuten, por janë të vendosur ta çojnë gjer në fund mosbindjen civile dhe betejën për një Shqipëri pa narkodiktaturë, për një Shqipëri të shtetit ligjor dhe zgjedhjeve të lira”, tha Berisha.

Berisha ftoi edhe një herë të gjithë drejtuesit lokalë dhe qendrore të PD-së të dalin në ballë të revoltave dhe mosbindjes civile në të katër anët e vendit.

“Jam këtu për t’u bërë thirrje të gjithë deputetëve të parlamenteve lokale, të bëjnë gjithçka në mosbindje civile,” tha Berisha.

Berisha reagoi edhe ndaj deklaratave të ambasadave të SHBA dhe BE.

“Ditët dhe vitet në burg të Ervin Salianjit janë një aktakuzë ndaj të gjithë atyre që mbrojnë narkoregjimin e Edi Ramës. Se për çdo njeri të lirë, vitet rinore në burg të një deputeti, pas ekzekutimit të tij, janë gjëja më e rëndë që mund të ndodhë në një vend”, tha Berisha.

Berisha u shpreh se Ervin Salianji nuk mbrojti vetëm interesat e shqiptarëve, por edhe të qytetarëve të BE

“PD ka respekt për partnerët ndërkombëtarë, por ka respekt edhe për popujt e vendeve partnere, të cilët sa herë gjenden përpara një padrejtësie, i japin përgjigjen e tyre të merituar cilitdo”, tha Berisha.

“Në qoftë se unë vërtet në fjalën time kërkova që të mos heshtin para dhunës politike që është forma më e egër e dhunës, përpara burgosjes së një njeriu, i cili edhe njëherë, nuk mbrojti vetëm interesat e shqiptarëve, por edhe të qytetarëve të BE, për aq sa është Italia një vend kryesor i BE. Por, edhe për aq sa administrata e SHBA dhe vendeve të tjera është e interesuar për prerjen e lidhjeve të politikës me krimin dhe luftën kundër kriminalitetit”, theksoi Berisha.

Natyrisht, shtoi kreu i PD, “unë jam i vetëdijshëm për fuqinë e jashtëzakonshme korruptive, siç është faktuar, të kreut të narkoshtetit. Por prapë, interesat nuk mund t’i korruptojnë. Thirrja ime kishte të bënte me interesat e përbashkëta, me vlerat e përbashkëta që ne ndajmë me partnerët. Por secili përcakton qëndrimin e tij”.

Berisha gjithashtu garantoi se, opozita ka zbritur në shesh dhe nuk do të tërhiqet.

“Ju garantoj se opozita ka zbritur në shesh dhe gjer në përmbushjen e misionit të saj, e vendosur për çdo sakrificë, e vendosur për qëndresën më të fuqishme, ajo nuk tërhiqet”, tha Berisha /ATSH