Humbjen e opozitës në Himarë, Sali Berisha e quajti “grabitjen e radhës”. Ai tha se u manipulua lista zgjedhore e iu mohua votimi, mbi 6 mijë personave e në një postim në rrjetet sociale shkroi:
Grabitja e rradhës!
Të dashur miq, Edivin Gjipea pasi rrëmbeu me dhunë, terror, burgim politik mandatin e Fredi Belerit në Himarë kreu dje grabitjen e tyre të mandatit me kukullën e tij Vangjel Tavo. Ai në këtë grabitje mobilizoi në shkelje të ligjeve dhe Kushtetutës të gjithë potencialin e shtetit kriminal elektoral dhe institucionet e tij, ju mohoi të drejtën kushtetuese të votes 6153 qytetarëve të Himarës me motivin e skadimit të afatit të kartave të identitetit ndërkohë që në maj të vitit 2023 me vendim të veçantë i kishte lejuar të votonin.
Me qëllim grabitjen e mandatit, Edvin Gjipea solli në listat e votimit në Himarë 360 votues nga Dropulli, Saranda dhe Tirana dhe qindra të tjerëve iu ndryshoi qendrat e votimit. Të gjitha këto ndërhyrje të shtetit kriminal elektoral, manipulime me listat e zgjedhësve dhe përjashtimi i 6153 qytetarëve nga votimi dëshmojnë se mandati i Tavos qendron mbi krimin monstruoz elektoral.
Me Edi Ramen nuk ka zgjedhje.
O sot o kurrë!
Më herët gjatë ditës, kryeministri Edi Rama përshëndeti fitoren e Vangjel Tavos në Himarë. Tavon e uroi dhe kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, sipas së cilës, “populli i Himarës dëshmoi një kulturë të lartë politike, qytetare e demokratike”. Reagimi i Spiropalit:
Zgjedhjet në Himarë përfunduan. Populli i Himarës foli, zgjodhi, dëshmoi atë që dihej dhe pritej: një kulturë të lartë politike, qytetare e demokratike. E rëndësishme është që fushata dhe procesi ishin të qetë, të rregullt, me standardet e një shoqërie demokratike të një vendi anëtar të NATO-s, që përparon me shpejtësi drejt BE-së, të një vendi lider në rajon, që konsolidon pareshtur vlerat dhe institucionet e demokracisë liberale.
Urime të përzemërta kryetarit të ri të bashkisë, kolegut dhe mikut Vangjel Tavo, për fitoren. Punë të mëdha të presin, i merituar Kryetar, për progresin dhe mirëqenien e njësive administrative Himarë, Lukovë dhe Horë-Vranisht, të të gjithë himariotëve, pa dallim.
Përgëzime qytetarëve të Bashkisë Himarë për kulturën e lartë qytetare, tolerante, patriotike dhe demokratike.