Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka përkujtuar rrëzimin e Murit të Berlinit, moment ky historik i ndodhur më 9 nëntor 1989, 35 vite më parë.
Berisha u shpreh se gjermanët me rrëzimin e këtij muri dëshmuan se nuk pranuan më shtypje, persekutim dhe diktaturë në vendin e tyre.
“Rrëzimi i Murit të Berlinit është vepër e trimërisë, e guximit, shpirtit të pamposhtur të qytetarëve gjermanë të Gjermanisë Lindore, të cilët nuk pranonin më shtypjen, persekutimin, diktaturën në vendin e tyre”, tha ai.
Sakaq, kryedemokrati shtoi se “rënia e Murit të Berlinit u bë e mundur nga qëndrimi vizionar, guximtar i kancelarit më të madh të të gjitha kohërave, Helmut Kohl.”
Ish-kryeministri tha se përmes kësaj mosbindje civile, gjermanët votuan dhe se rënia e Murit të Berlinit frymëzoi kombet e tjera për rrëzimin e komunizmit.
“Pra, me mosbindje civile gjermanët votuan.
Rënia e Murit të Berlinit frymëzoi kombe të tjera në diktaturat ish-komunsite dhe ato njëra pas tjetrës u ngritën në revolucionet e vitit ’89. Përmbysën në Poloni, Çeki, Hungari, Bullgari, Rumani klikat komuniste.”, u shpreh Berisha.
Berisha: Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta. Mirënjohjen më të pakufijshme, ju guximtareve dhe guximtarëve, misionarëve të vërtetë të kauzes së drejtë të çdo shqiptari të lirisë, dinjitetit, interesit kombëtar të shqiptarëve.
Një përshëndetje të përzemërt miqve tanë demokristianë, z.Zef Morina për fjalën e tij.
Të dashur miq, nesër kombi i madh gjerman dhe popujt që u dergjën në diktaturat komuniste kanë një ngjarje të madhe. Më 9 nëntor të vitit 1989, 35 vite më parë gjermanët u vërsulën si luanë mbi murin e Berlinit që ndante mbretërinë e lirisë nga mbretëria e tiranisë.
Që ndante diktaturat nga vendet e lira dhe rrëzuan atë.
Rrëzimi i Murit të Berlinit është një nga ngjarjet më të mëdha në historinë e lirisë të kombit gjerman, të Europës dhe botës.
Rrëzimi i Murit të Berlinit është vepër e trimërisë, e guximit, shpirtit të pamposhtur të qytetarëve gjermanë të Gjermanisë Lindore, të cilët nuk pranonin më shtypjen, persekutimin, diktaturën në vendin e tyre.
Ky akt madhor në historinë e lirisë u frymëzua nga thirrja që do bënte më parë presidenti i SHBA-ve, Ronald Reagan në Portin e Banderburgut.
Në fjalën e tij, ai do i drejtohej diktatorit sovjetik, z.Gorbaçov: hiqe këtë mur! Gjermanët të cilët muri i ndante nga kombi i lirë i tyre nisën betejën me murin dhe diktaturën.
Por rënia e Murit të Berlinit u bë e mundur nga qendrimi vizionar, guximtar i kancelarit më të madh të të gjitha kohërave, Helmut Kohl.
Ky burrë i madh i kombit gjerman frymëzoi me qendrimet e tij bashkëkombasit e vet përtej murit, dhe kur ata bënin qindra kilometra për të kaluar në Gjermaninë Perëndimore nëpërmjet Austrisë, Çekosllovakisë, Hungarisë, etj., ai u thoshte gjermanëve se bashkëatdhetarët tanë po votojnë me këmbë.
Pra, me mosbindje civile gjermanët votuan.
Rënia e murit u bë e mundur nga qendrimi vizionar i mikut të madh të kombit shqiptar, burrit të shquar të kombit amerikan, Xhorxh Bush, i cili duhet të themi të vërtetën në dallim nga udhëheqësit e tjerë perëndimorë të asaj kohe shikonte te rënia e murit dhe bashkimi i Gjermanisë një dimension madhor të lirisë në Europë dhe në botë.
Shikonte tek një Gjermani e bashkuar një lokomotivë të vërtetë të BE, por edhe një vend ndër më të fuqishmit në aleancën e Atlantikut të Veriut.
Rënia e Murit të Berlinit frymëzoi kombe të tjera në diktaturat ish-komunsite dhe ato njëra pas tjetrës u ngritën në revolucionet e vitit ’89. Përmbysën në Poloni, Çeki, Hungari, Bullgari, Rumani klikat komuniste.