Aktualitet Politikë

Berisha: Gati të votojmë çdo ndërhyrje në Kod për votën e emigrantëve!

Një ditë pasi Damian Gjiknuri i Partisë Socialiste hodhi idenë e një ndërhyrje të fundit në Kodin Zgjedhor për të mos vënë në rrezik votën e emigrantëve, vjen edhe përgjigjja e Partisë Demokratike.

Kryetari i PD-së, Sali Berisha tha në një mbledhje me drejtuesit e qarqeve se opozita është e gatshme të votojë çdo ndërhyrje të nevojshme në Kod në funksion të votës së diasporës.

“Grupi ynë i punës, Bylykbashi, Kaso dhe përfaqësuesit tanë në KQZ kanë bërë një pune intensive, serioze për udhëzimet në zbatim të ligjit që u miratua. Ne jemi të gatshëm të votojmë cdo ndërhyrje të nevojshme për ta bërë procesin e votimit të shqiptarëve jashtë vendit sa më pa pengesa, të mundshëm, transparent dhe të pamanipulueshëm. Nuk duhet të harrojmë se kemi të bëjmë me një të drejtë themelore të qytetarëve shqiptarë që ne kurrë nuk e shmangim”, tha Berisha.

Sipas KQZ asnjë prej operatorëve ndërkombëtar të kontaktuar nuk merr përsipër në më pak se 30 deri 45 ditë në sjelljen e zarfeve me fletët e votimit.

Për të shmangur dështimin e votës të diasporës Damian Gjiknuri Sekretar për Organizimin dhe çështjet Zgjedhore në PS, në një intervistë për Top Channel  propozoi një zgjidhje e cila kërkon edhe vullnetin politik të opozitës.

“Ky është një shqetësim që do të kërkonte ndryshime në Kodin Zgjedhor. Mendoj se mund të bëhet ndonjë modifikim në kod vetëm për këtë gjë. Mendoj që edhe nga ana e opozitës duhet të ketë vullnet për ta bërë këtë. Nuk është dëshirë politike, por proces politik”, shprehet Gjiknuri.

Sipas kodit aktual zgjedhor subjektet politike dorëzojnë në KQZ listën e kandidatëve jo më vonë se 50 ditë para datës të zgjedhjeve.

Por a është e gatshme PS në të publikuar e listës së kandidatëve shumë herët në kohë krahasuar me zgjedhjet e shkuara, për mos tu bërë pengesë për votën e emigrantëve?

“Partia Socialiste është e gatshme që të modifikohet data për paraqitjen listave të kandidatëve me qëllim realizmin e kësaj çështjeje. Ka zgjedhje me shumë kandidatë dhe kjo do e bëjë fletën e ngarkuar në qarkun e Tiranës. Ndaj them që propozimi i PS është në aspektin teknik. Mendojmë se është zgjidhja e duhur. Problemi që unë kam është konfuzioni i zgjedhësve në fletën e votimit. Se kuptoj pse duhet hequr votimin elektronik”, tha më tej socialisti.