Politikë

Berisha flet nga karrigia e kryetarit në PD: Do të jem në garë të hapur, të konkurrojë me mua kush të dojë

Deputeti demokrat, pasi hyri në selinë blu këtë të premte dhe u ul në krye të sallës së mbledhjeve, theksoi se do të jetë në garë të hapur për të marrë drejtimin e Partisë Demokratike. Ish kryeministri Berisha, njëkohësisht themelues i PD-së konfirmoi në këtë mënyrë që do të jetë sërish në garë për postin e kreut të partisë më të madhe opozitare.

Shpallja non-grata, Berisha: E tepërt! Përgjigjen e kanë dhënë demokratët me votën e tyre

Berisha: Pyetjen e ke të tepërt, në kuptimin që përgjigjen më të shkëlqyer të asaj pyetjeje ia kanë dhënë demokratët me votën e tyre të lirë. Marrëdhëniet e mia me SHBA-të janë dhe do të mbeten marrëdhënie të diktuara nga vlerat e lirisë, parimet e demokracisë që ndajnë popujt e lirë. Por meqenëse e shtron në këtë mënyrë, do të jap dhe një përgjigje të dytë. Kjo parti është parti e spektrit konservator dhe ka për partnere të saj Partinë Republikane. Ju jeni dëshmitarë se eksponentë ndër më të rëndësishmit të niveleve të larta të kësaj partie e kanë quajtur vendimin e sekretarit të shtetit, një vendim të mirëfilltë politik të diktuar nga Soros për të ndihmuar Edi Ramën.

“Ky njeri që ka bërë këtë deklaratë ka qenë njeriu më i informuar i atij shteti për postin që ka mbajtur. Ju keni një kongresmen që i tha sekretarit të shtetit publikisht se vendimi yt vjen nga hiçi. Nuk është dorëzuar asnjë provë. Ka një realitet nën ndikimin e Sorosit është marrë ai vendim, ka dhe një që e cilëson vendim politik hakmarrës nga personalitetet më të shquara të atij vendi.

Në momentin që të publikohet një fakt i vetëm, një dokument i vetëm, një provë e vetme se unë apo fëmijët e mi kanë përfituar nga pasuritë publike qoftë dhe një qindarkë, unë marr çdo vendim ndaj vetes sime, përndryshe qëndroj shqiptar krenar, i palëkundur”.