Aktualitet

Berisha dhe Malltezi mbeten në arrest shtëpie, GJKKO-ja nuk i ndryshon masën e sigurisë!

Nën hetim për korrupsion lidhur me privatizimin e kompleksit sportiv “Partizani” në Tiranë, ish-kryeministri Sali Berisha do të vijojë që të qëndrojë në arrest shtëpie, ashtu siç u vendos në fund të vitit të kaluar. Edhe sot, sërish Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, GJKKO hodhi poshtë kërkesën e Berishës e të dhëndrit të tij Jamarbër Malltezit për ndryshimin e masës së sigurisë që u caktua më 30 dhjetor 2023.

Kërkesa u paraqit nga avokatët mbrojtës në seancën e informacioneve dy mujore ku u kërkua dhe heqja e masës së sigurisë “Arrest shtëpie”. Gjokutaj vuri në dukje se nuk kanë humbur në shkallët e gjykatave, por kanë dokumentuar ato që i quajti “shkelje skandaloze të këtyre gjykatave në këtë proces”.

Deklarata e avokatit Genc Gjokutaj: 

Ne sot kishim dy objekte që ishin revokimi i masës së sigurimit dhe diligjenca dymujore, afërmend që gjykata vendosi si kërkoi prokuroria dhe u rrëzua kërkesa për revokimin e masës së sigurisë.

Ajo që është alarmante për një proces të rregullt ligjor është që diligjenca dymujore ishte kopje e dy muajve të para, i njëjti tekst me të njëjtat fakte dhe kishte një tekst që SPAK i kishte dërguar zyrës së mbrojtjes kundër zjarrit në lidhje me ndërtimet nëse kishin ose jo mbrojtje nga zjarri dhe kjo është një gjë, e cila do t’i japë një shtysë shumë të madhe hetimit.

Ky është një skandal më vete dhe ndërkohë që lideri i opozitës vazhdon arrestin shtëpiak pa u zhvilluar hetimet dhe pa u gjetur prova të reja. Ne nuk kemi humbur në shkallët e gjykatave, por ne kemi dokumentuar shkeljet skandaloze të këtyre gjykatave në këtë proces.

Sali Berisha ende është deputet i Kuvendit të Shqipërisë.  Nëse ish-shefi i qeverisë nuk del nga shtëpia që të paraqitet në parlament deri në fund të qershorit, automatikisht, Berishës i digjet mandati për shkak të mungesës 6-mujore në seancat plenare.