Aktualitet Politikë

Berisha: “DASH më sanksionoi pa prova e fakte!”

Në Kuvendin Kombëtar të PD-së, Berisha përsëriti qëndrimin se “nga Departamenti Amerikan i Shtetit u sanksionua për akuza jo të faktuara”. I shpallur “non grata” rreth një vit më parë, ish-kryeministri rikonfirmoi gatishmërinë të marrë çdo masë ndaj vetes “nëse paraqesin një fakt apo provë kundër”.

DASH më ka sanksionuar mbi akuza, për të cilat nuk ka asnjë fakt provë dhe dokument. Jam sanksionuar nga lobimi i Sorosit të Edi Ramës. Cilido që do të paraqesë një fakt provë apo dokument kundër Sali Berishës, ai është i gatshëm të marrë çdo masë ndaj vetes së tij… Unë jam Sali Berisha! Kurrë, kurrë, kurrë, shpifjen, gënjeshtrën nuk e pranoj për të vërtetë. Ju jam mirënjohës juve që ndani këtë qëndrim me mua. Ky Kuvend hap kapitullin e përballjes me qeverinë. Edi Rama është kryeministri më i pashkollë në historinë e Shqipërisë. Po dhe po! Shqipëria në të katër anët e saj lëngon. Edi Rama me burgosje, dhunë vret shpresën në çdo shesh të Shqipërisë.

Në sallën e Pallatit të Kongreseve mungoi pjesa me e madhe e deputetëve demokratë. Munguan ata që janë pjesë e listës Alibeaj, si dhe Grida Duma, Ervin Salianji e Tomorr Alizoti. Ndërsa në sallë ra në sy prania e Ina Zhupës, e cila deri tani nuk ka marrë pjesë në takimet e Foltores. Po ashtu u rikthyen Jozefina Topalli, Arben Imami e Rudina Hajdari.

I pyetur për mungesat e shumta të deputetëve, ish-kryeministri Berisha deklaroi:

Kjo është një ditë e një rëndësie të madhe pas ditëlindjes së dytë të PD-së në konstituimin e forumeve të saj si opozitë e vërtetë shqiptare.

Më 22 maj zhvillohen zgjedhjet për kryetarin e Partisë Demokratike. Kjo u njoftua sot nga Belind Këlliçi, drejtues i punimeve të Kuvendit Kombëtar. Në një tjetër vendim, Enkelejd Alibeaj u shkarkua si kryetar i grupit të PD-së dhe Këlliçi shpalli vakancën.