Aktualitet Politikë

Berisha: Basha nuk mbrojti votat se do të bënte koalicion me PS-në!

Sot në një bashkëbisedim me qytetarë në rrjetet sociale, Sali Berisha tha se Lulzim Basha nuk e mbrojti votën se sipas tij, donte koalicion me PS-në. Për Berishën, kjo ishte ndër arsyet pse ndodhi ajo që e quan “farsa e tmerrshme” e 14 Majit.

Konstatoj se ka demokratë që do të thoja, ndjehen jo të kënaqur nga fakti që ne flasim dhe denoncojmë vjedhjen e votave e farsën elektorale, pasi ata shprehen se kjo është një praktikë që PD-ja e ka bërë të zakonshme tashmë.

Dua të bëj një sqarim këtu. Së pari, nëse ne nuk e bëjmë këtë, de facto legjitimojmë, ulim kokën përpara batërdisë elektorale të Edi Ramës. Ne, de facto i themi atij që nuk kemi një qëndrim të veçantë dhe indirekt i japim dritën jeshile që në zgjedhjet e ardhshme, të thellojë krimin monstruoz elektoral.

Së dyti, ku dallon ky qëndrim në këto zgjedhje ndaj kësaj farse nga qëndrimi që është mbajtur në zgjedhjet e mëparshme?

Eshtë e vërtetë që në zgjedhjet e vitit 2021 u fol për masakër elektorale. Dy ditë pas votimeve, shkrova se vota e qytetarëve shqiptarë “vdiq” pa hyrë në kuti. Në mënyrën më të përsëritur, mbrojta tezën se Edi Rama nuk i fitoi ato zgjedhje. Së pari, sipas faturave zyrtare të Thesarit të Shtetit, këtë deklaratë e bazova në përdorimin nga Edi Rama të 93 milion eurove në prill, që u disbursuan për familjet që kishin meremetime nga tërmeti. Po të marrim edhe të marsit, u disbursuan 130 milion.

Me këto para’, Edi Rama, i cili mori shumicën me vetëm tre deputetë më shumë, jashtë çdo lloj dyshimi ia doli të blejë të paktën 6 deri në 8 deputetë. Ky ishte një veprim flagrant që nuk mund të bëhej kurrë në fushatë elektorale. Pikërisht për këtë arsye, unë deklarova se vota “vdiq” pa hyrë në kuti.

Faktori i dytë madhor që doli në pah në atë “masakër elektorale”, siç e quajti ish-kryetari i PD-së ishte faktori patronazhist, i cili u armatos me të dhënat personale të 1 milion qytetarëve, për të ushtruar të gjitha format e terrorit psikologjik mbi ta dhe që u denoncua para zgjedhjeve në mënyrën më të fuqishme nga Transparency International.

Çfarë ndodhi pas 25 prillit? A u mbrojt vota, a qëndroi PD-ja në mbrojtje të votës? E vërteta është se ndodhi e kundërta. Edi Rama kishte korruptuar kreun e kësaj partie. Këtu në këtë seli gumëzhinin idetë për koalicionin në shtator me PS-në.

 

Nëse do të kishte ndodhur mbrojtja e votës herën e parë, kjo farsë e tmerrshme nuk do ishte kjo që është sot. Kjo punë që po bëhet është e një rëndësie jetike në shumë aspekte dhe ne do t’i shkojmë deri në fund, me durim.