Aktualitet Politikë

Berisha, Basha dhe Rama mbyllin fushatën në Shkodër/ Fjalimet e fundit para heshtjes zgjedhore

Kryeministri dhe Kryetari i PS Edi Rama, Kryedemokrati Lulzim Basha dhe ish-kryeministri Sali Berisha kanë mbyllur pasditen e  sotme fushën elektorale të 6 marsit në Shkodër, një ndër bashkitë më të mëdha të vendit. Të tre zgjodhën që të shfaqeshin aty duke kërkuar mbështetjen e elektoratit të tyre, duke i paraqitur kandidatët e tyre si e ardhmja dhe alternativa më e mirë e qytetit.

Berisha sulmon Ramën: Armik i egër i shqiptarëve

Duke kërkuar votat për kandidatin e koalicionit opozitar “Shtëpia e Lirisë”, Bardh Spahia, Sali Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se tentoi të rikthejë diktaturën.

Ish-kryeministri theksoi gjatë fushatës përmbyllëse në Shkodër se qytetarët shkodranë do t’i japin përgjigjen shkatërrimtare Ramës në 6 mars.

Pjesë nga fjala e Sali Berishës: 

Kjo fushatë, pas ‘91 dhe ‘92, ka qenë më e veçanta sepse ishte një betejë për pluralizimin e vërtetë politik, ishte një betejë për shpëtimin e opozitës, betejë kundër një njeriu që është armik i egër i Shkodrës dhe shqiptarëve, ky njeri është Edi Rama.

Nuk ka asnjë vend në Evropë dhe Ballkan si Shkodra. Rama ka humbur për shkak të problemeve psikike që ka nuk ka koherencë, përndryshe nuk do të vinte kurrë në Shkodër, me mashtrimet e mëdha për të rikthyer, rehabilituar ish-xhelatet e diktaturës komuniste.

Rama bëri gjithçka që të rikthejë hijet e zeza të Partisë Komuniste. 6 marsi është përgjigja më shkatërrimtare e Shkodrës për përpjekjet e tij. Më 6 mars, Shkodra voton për qytetarët e saj, voton për një pranverë shprese të madhe për Shkodrën dhe mbarë Shqipërinë, voton për të dëshmuar mbështetjen e saj të fuqishme për pluralizmin në Shqipëri, voton për të çelë dyert e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që kanë një rëndësi vendimtare për Shqipërinë dhe shqiptarët. Më 6 mars, vota e Shkodrës është votë për shpresën, optimizmin, besimin për të çuar të sigurt drejt fitores përfundimtare të Partisë Demokratike.

Sot, në të njëjtën kohë dhe në të njëjtën orë, përmbaruesi kishte marrë dhe pengun me vete, Lulzim Bravën, ishte e shëmtuar të shihje sesi kishin ardhur në ndihmë të njeri-tjetrit, por mjeranë të sigurt që Shkodra do të firmosë humbjen dhe dështimin e të dyve. Ndaj, dhe thirrja ime shkon për të gjithë demokratët: votoni Bardh Spahinë; ju garantoj që do të jetë një shërbëtor i bindur.

Basha kërkon votën për Xhemal Bushatin: Shkodra të çajë “rrethimin”

Në ditën e fushatës elektorale, kreu i PD, Lulzim Basha takoi demokratët e Shkodrës dhe Durrësit, dy bashkitë më të mëdha ku votohet ditën e diel.

Në bastionin e të djathtës në Shkodër, Basha ka zgjedhur të flasë për rrethimin komunist dhe reagimin e shkodranëve, duke u bërë thirrje që sërish të bashkohen e të çajnë rrethimin duke votuar kandidatin Xhemal Bushati.

“Në këto zgjedhje, kujdestarit i kemi vënë fytyrën tuaj, fytyrën e qytetarit, e guximtarit, fytyrën e Xhemal Bushatit, birit shkodran dhe demokratit shkodran i cili edhe në këtë rrethim ku ndodhemi është bërë zëri juaj, shpresa juaj për të mos e lejuar Shkodrën të bjerë ne errësirë, por për të qendruar të gjithë bashkë.”

Nga Shkodra, Basha ka theksuar se ka vetëm një Parti Demokratike duke ftuar qytetarët ta tregojnë ketë me votë ditën e diel.

“Ju ftoj që këtë energji që kemi mbledhur ta derdhni vrullshëm, të gjithë bashkë për të çarë rrethimin e të keqes. Të gjithë masivisht të dielën, për një Parti Demokratike, votoni numrin 3 dhe Xhemal Bushatin.”

Pas Shkodrës, kreu i PD, Lulzim Basha takoi demokratët e Durrësit, të cilëve iu bëri thirrje të votojnë kandidatin Luan Hoti në 6 mars.

Rama mesazh demokratëve në Shkodër: Merrni shembull Tropojën

Në takimin elektoral përmbyllës në Shkodër, në kuadër të zgjedhjeve të pjesshme vendore, kryeministri Edi Rama iu drejtua me një mesazh demokratëve shkodranë, që më 6 mars të votojnë për kandidaten socialiste, Majlinda Angoni.

Kreu i qeverisë u shpreh se qytetarët e Shkodrës kanë në dorë që të ndryshojnë të dielën fatin e qytetit të tyre.

Pjesë nga fjala e Ramës:

Demokratët e Shkodrës duhet të zgjedhin mes dy alternativave që kanë të bëjnë me luftën mes dy individëve, një luftë personale, me qëllime krejt personale, njeri sepse do të kthehet nga bota tjetër dhe tjetri me çdo kusht nuk do të ikë aty ku e meriton. Më 6 mars, të gjithë ata që do shkojnë të votojnë nuk do të zgjedhin mes alternativave politike, mes Evropës dhe Amerikës, apo Amerikës dhe interesave.

Shqiptarët e kanë bërë zgjedhjen në të gjithë Shqipërinë. Qytetarët do të zgjedhin për ta pasur qytetin më të pistë apo akoma edhe më të pistë.

Si shpjegohet që gjithë këto vite, Bashkia e Shkodrës ka bërë gjithmonë të njëjtën zgjedhje dhe ka marrë gjithmonë të njëjtën rezultat, i cili është miserabël në krahasim me shumë bashki të tjera të Shqipërisë.

Na duhet një bashki që i ka dyert e hapura për bashkëpunim, si në çdo bashki të botës, jo të Shqipërisë, ku ajo apo ai që drejton, është aty në radhë të parë për t’i shërbyer komunitetit dhe jo për të ndarë qytetarët; është aty për të garantuar më shumë cilësi dhe për të sjellë më shumë investime.

Ata do vazhdojnë të humbin sa herë të futen në garë me PS dhe me të gjithë bashkësinë e qytetarëve që votojnë për PS, jo vetëm si anëtarë, por edhe si mbështetës.

Shkodra është peng i të shkuarës. Shkodra mund të mbetet prap peng pas 6 marsit, por ne jemi këtu për t’i thënë Shkodrës që dora jonë është e shtrirë t’i bashkohesh të gjithë atyre që punojnë për të ardhmen. Shikoni Tropojën. Doli nga rreshti, Shkodra është tek pull. Shikoni çfarë transformimesh kanë ndodhur në Tropojë.