Aktualitet Politikë

Beqaj: S’kam kërcënuar/Opozita mos ta përcjellë dështimin në nëpërkëmbje të dinjitetit tim!

Sot në një reagim nga qelia, Ilir Beqaj theksoi se “dështimin politik, deputetët e opozitës nuk i lejoj ta përcjellin në nëpërkëmbje të dinjitetit tim”. Për dy ditë radhazi, ish-ministri i Shëndetësisë, nuk arriti të dëshmonte në Komisionin Hetimor për Shërbimet Publike të Sterilizimit e të Check-up/it në Shëndetësi, pasi opozita dhe maxhoranca nuk ranë dakord mbi procedurën.

Reagimi i Ilir Beqajt:

Prej marsit 2024 kur është miratuar ngritja e komisionit hetimor parlamentar për koncensionet në shëndetësi, nga deputetët nismëtarë jam përballur me akuza, fyerje si hajdut, kriminel, etj. Kam pritur në heshtje ditën e përballjes në komision. Ditën e martë jam paraqitur në orën 10:00 dhe deri në orën 19:30 jam penguar të jap dëshminë. Eshtë penguar të flasë edhe avokati im.

Ditën e mërkurë jam paraqitur në orën 10.30 sipas njoftimit dhe kam pritur deri në orën 01.40 të ditës së enjte. Edhe në mbledhjet e këtyre dy ditëve që janë publike, me zë dhe figurë, jam përballur me akuzat, talljet e fyerjet nga Vokshi, Zhupa, Koreshi dhe Hoti.

Në atë orë të natës, duke qëndruar pranë sallës së mbledhjes, në pritje për të dëshmuar dhe duke ndjekur punimet e komisionit, kam dëgjuar deputeten Zhupa që sikur unë të isha send kërkonte që meqë kishte kaluar ora 24 e datës 13 nëntor të kthehesha në qeli, se sipas saj kjo ishte leja e dhënë nga Drejtoria e Burgjeve.

Sipas Kodit të Procedurës Penale, edhe për një të paraburgosur në rast marrjeje në pyetje apo procesi gjyqësor qëndrimi nuk varet nga orari i lejes por kohëzgjatja e seancës përkatëse.

Kam hyrë në sallën e mbledhjes vetëm një hap nga dera dhe kam shprehur haptazi revoltën time për talljen deri në kufijtë e torturës që bëhej prej më shumë se 14 orësh. Nuk kam kërcënuar apo fyer askënd.  I kam treguar i revoltuar deputetes Zhupa se jam aty në pritje prej orës 10.30. Edhe nëse jam i paraburgosur nuk pranoj të më fyejnë e të më marrin nëpër këmbë. Këtë e refuzoj, e kundërshtoj dhe do të vazhdoj ta kundërshtoj.

Ish-ministri Beqaj u shpreh se “në 8 muaj hetime të komisionit, të gjithë dëshmitarët kanë provuar që dy koncensionet objekt hetimi janë histori suksesi”.

Dy ditët e fundit, Komisioni Hetimor për Shërbimet Publike të Sterilizimit dhe të Check-up/it në Shëndetësi u zhvillua me debate politike lidhur me dëshminë e Ilir Beqajt. Dje punimet ishin maratonë e zgjatën dhe pas mesnate por dëshmia e Beqat nuk u dha për shkak të debateve. Opozita kërkoni të thirreshin për të dëshmuar Vilma Nushi dhe kryeministri Edi Rama. Afati i komisionit përfundon sot e në seancë plenare, demokratët kërkuan shtyrje me tre javë.