Rajoni

Beograd, qindra protestues kërkojnë përgjegjësi për tragjedinë e Novi Sad-it!

Qindra persona u mblodhën në protestë para godinës së Ministrisë së Ndërtimit, Transportit dhe Infrastrukturës në Beograd, për të protestuar pas ngjarjes tragjike në Novi Sad që shkaktoi 14 viktima e tre të plagosur në gjendje kritike që po luftojnë për jetën, si pasojë e shembjes së një strehe prej betoni në stacionin hekurudhor. Protestuesit kërkuan dorëheqjen e ministrit Goran Vesiç, si dhe llogaridhënie nga qeveria për atë që ndodhi.

Në zonën e protestës, forca të shumta policore nuk kanë lejuar afrimin e pjesëmarrësve drejt ndërtesave të institucioneve shtetërore. Protestuesit janë parë duke mbajtur pankarta me mbishkrime: “Krim, jo tragjedi” dhe “Korrupsioni vret”. Disa u dëgjuan duke thërritur: “Tradhti” e “Dorëheqje”.

Protesta nisi në sheshin Sava, para stacionit të vjetër hekurudhor në kryeqytetin Beograd, fillimisht me një minutë heshtje për të nderuar 14 viktimat në Novi Sad e më pas ka vazhduar me leximin e emrave të secilit prej tyre. Më pas, të pranishmit marshuan për në drejtim të dikasterit të ministrit Vesiç dhe më vonë deri te selia e qeverisë së Serbisë, në qendër të Beogradit, nga ku e vazhduan tubimin.

Në kuadër të protestës, disa pjesëmarrës i lyen duart me ngjyrë të kuqe që në mënyrë simbolike t’iu thonin autoriteteve se ata “duart i kanë me gjak”.

Shkaku i shembjes së strehës prej betoni nuk dihet ende dhe po hetohet nga zyrtarët. Dje dhe sot janë marrë në pyetje 31 vetë nga Zyra e Prokurorit në Novi Sad. Mësohet se mes tyre ishte edhe ministri Goran Vesiç.

Ndërtesa e stacionit kryesor hekurudhor në Novi Sad u hap në korrik të këtij viti, pas tre vjetësh në proces rindërtimi. Më  1 nëntor, ditën e tragjedisë, Drejtoria e Hekurudhave Serbe deklaroi se “streha e betonit që u shemb nuk ka qenë rindërtuar dhe as nuk ishte pjesë e rinovimeve”. Por një deklaratë e tillë u hodh poshtë.

Ekspertët deklaruan se po, ka qenë subjekt i rindërtimit e se punimet janë kryer nga një konsorcium kinez. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç u zotua se do të ketë drejtësi dhe në një reagim të para dy ditëve, ai ka kërkuar që të ketë ndëshkime të ashpra për personat përgjegjës.